Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së Gazment Bardhit, i cili sot tha se me vendim grupi është rezervuar një karrige në komisione për një nga “mbështetësit e Bashës”.
Nga takimi që Basha zhvilloi me demokratët në Durrës tha se nuk është qëllimi karrigia, por listat e hapura, votimi elektronik dhe vota e diasporës.
“Shikoni çfarë thonë sot, “ejani ju se kemi dhe një karrige për ju”. Merreni karrigen edhe… Ne se kemi nisur këtë për karrige. Se kemi nisur për karrige, s’ishte kjo punë për karrige. Enkelejd Alibeaj nuk ishte aty për karrigen e tij. As i kisha thënë unë rri për karrige. Ishin listat e hapura, ishte për votimin elektronik, ishte për votën e diasporës, ishte për Shqipëria një zonë. S’duam karrigen, ne duam të drejtat e shqiptarëve, ne duam që pazari 34 vjeçar i fëlliqtë, trashëgimnia më e pisët e Ramiz Alisë, trashgimtarit të fundit komunist të marrë fund. Sepse është ky Pazar që rëndon pronarët dhe të përndjekurit, sipërmarrësit dhe profesionistët, fermerët dhe arsimtarët, rininë shqiptare. S’na duhen karriget. Thojini shqiptarëve sot, ku qëndroni në raport me listat e hapura? Jeni për lista të hapura, po apo jo, votoni për listat e hapura, votimin elektronik, Shqipëria një zonë, votën e diasporës, s’na duhen karriget.
Këtë betejë nuk e nisëm për karrige, por janë kaq të obsesuar me karrigen, e kanë ngjitur kaq shumë kokën, barkun pas karrigeve sa u është bërë mendja karrige. Dhe mendojnë se pasi bënë pazarin me Edi Ramën, mund të kthehen tek ne e të na thonë: keni dhe ju një karrige. Ju plaçin sytë, se kuptoni që kemi 2 vite e gjysmë që e bëjmë për shqiptarët jo për karrige? Dhe të bësh betejë për shqiptarët nuk është e lehtë në një vend që ka 34 vite kastë politike që bëjnë betejë për veten e vet me metodat dhe mënyrat më të pista”, tha Basha nga Durrësi.
Basha solli në vëmendje edhe marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit, për të cilën tha se është një pazar, që sipas tij e keqja është ‘mbajtja në fuqi e komplotit të 2008 kundër votës së shqiptarëve’.
“Kush u kap në pazar tani, kush kërkoi 8 komisione zgjedhore dhe mori dy, nga i cili njëri për një çështje ku sapo u shpallën të pandehurit. Pjesa më e keqe e këtij pazari të ri është mbajtja në fuqi e komplotit të 2008 kundër votës së shqiptarëve. Ata që e kuptojnë mirë edhe ata fare pak që kanë mbetur dhe që nuk e kuptonin se cilat janë motivet e vërteta të atyre që për interes personal u përpoqën ta thyenin në dysh PD duke i bërë dhuratën më të mirë pushtetit të korruptuar ilegjitim të Ramës. Po sot ku janë? Përqafimin e butë të Ramës me shokë e kanë nisur si Pazar dhe duan ta vazhdojnë si Pazar”, tha Lulzim Basha.