Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, mishit të derrit, nënprodukteve të tij apo të shpendëve dhe nënprodukte të tyre nga 6 vende të ndryshme, pas shpërthimit të murtajës dhe gripit në këto shtete.
Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare pas shfaqjes së murtajës afrikane të derrave në Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, produkteve të tyre, materialit biologjik dhe embrioneve të derrave, si dhe e mishit të freskët dhe nënprodukteve të tij.
Vendimi shoqërohet edhe me tabelën sipas zonave të infektuara të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, nga të cilat ndalohet importi. Gjithashtu, vendimi përfshin kushtet që duhet të plotësojnë këto produktet që nuk iu përkasin këtyre zonave për t’u lejuar të futen në territorin shqiptar e që duhet të jenë të pasqyruara në certifikatën veterinare.
Paralelisht, janë marrë masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve, të shfaqur në Bullgari, Norvegji, Itali dhe Moldavi.
Në këtë kuadër, sipas urdhrave të nxjerrë nga ministria do të ndalohet importi dhe tranzitimi në Shqipëri i shpendëve të gjallë shtëpiakë; zogjve 24-orësh; shpendëve dekorativë; materialit biologjik të shpendëve apo vezëve të tyre. Gjithashtu, ndalohet importi dhe tranzitimi i mishit të shpendëve të patrajtuar termikisht dhe nënprodukteve të shpendëve të patrajtuar termikisht. Edhe për këto shtete janë të përcaktuara zonat e infektuara, nga të cilat do të ndalohet futja e produkteve në vendin tonë.