MENU
klinika

Nuk u arrit asnjë produkt konkret, palët fajësuan njëra-tjetrën

Përfundon pa rezultat komisioni bipartizan për Reformën Zgjedhore!

21.03.2024 - 18:55

Dy vjet pas ngritjes së tij, komisioni për Reformën Zgjedhore pushoi së ekzistuari pa prodhuar asnjë rezultat konkret për ndryshime në Kod, duke ia kaluar stafetën tryezave politike mes socialistëve dhe grupit të njohur si Rithemelimi.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur dy vite më parë me konsensus politik, përfundoi të enjten afatin e tij ligjor pa asnjë produkt konkret për të adresuar në ligjin zgjedhor rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Për dështimin e komisionit, të dy palët fajësuan njëra-tjetrën në seancën plenare, ku një pjesë e opozitës sulmoi mazhorancën se kishte bllokuar mundësinë për të pasur një rezultat me synimin për të bërë “pazare” politike me pjesën tjetër të opozitës.

“Sot ishte fundi i një përpjekjeje transparente para shqiptarëve për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë ata dhe jo atë që duan protagonistët e këtij pazari,” tha në seancë plenare kreu i PD-së zyrtare, Lulzim Basha.

Basha kontrollon aktualisht një grup të vogël deputetësh në Kuvend, por përfaqësohej në komisionin e reformës me bashkëkryetarin Enkelejd Alibeaj, i cili kishte humbur besueshmërinë e pjesës tjetër të opozitës, i njohur si grupi i “Rithemelimit”.

Alibeaj pranoi se komisioni dështoi që të dilnin në një produkt të përbashkët ligjor edhe pse PD-ja kishte bërë pjesën e saj duke sjellë projektligje konkrete për të adresuar ndryshimet ligjore.

“Prandaj dështoi se pritët pazar, por nuk keni për të pasur pazar nga ne,” iu drejtua ai kolegëve socialistë.

Kryetari i grupit socialist, Bledi Çuçi, shprehu keqardhjen që puna përfundoi pa një produkt të përbashkët. “Çfarë komisioni bipartizan konsensual mund të ngrihet mbi këtë premisë, kur pakica vjen me një draft, e dorëzon në Kuvend dhe thotë këto janë kushtet tona,” tha ai duke e cilësuar pikërisht këtë si shkak të “dështimit”.

Sipas tij, gjithsesi parlamenti do të presë rekomandimet e komisionit për të mbajtur një qëndrim.

Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri pranoi se nuk ishte gjetur konsensus për propozimet e palëve dhe se komisioni do të dorëzojë në Kuvend një raport për punën që është bërë gjatë funksionimit të tij.

Pas dështimit të komisionit, pritet që reforma të diskutohet në një grup më të ngushtë negociatash mes PS-së në pushtet dhe opozitës së përfaqësuar nga grupimi i “Rithemelimit” që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, sipas një pakti mes tyre për të gjetur konsensus politik për çështje që kërkojnë votë të cilësuar në parlament.

Komisioni bipartizan për reformën zgjedhore u ngrit 2 vjet më parë, por nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret dhe vetëm ka kërkuar shtyrjen e afatit çdo 6 muaj në Kuvend.

Socialistët rrëzuan në vjeshtë një kërkesë të “Rithemelimit” për të ndryshuar bashkëkryetarin në komision për shkak të prishjes së balancave politike mes grupimeve brenda PD-së, vendim që u pasua me protestë të deputetëve opozitarë në Kuvend.

Për herë të fundit, Kodi Zgjedhor u ndryshua në vitin 2020 pas një marrëveshje të gjerë të partive politike dhe ndërmjetësimit të delegacionit të BE-së dhe ambasadave amerikane dhe britanike, por vetëm 1 muaj më pas, PS në aleancë me disa deputetë të opozitës e ndryshuan atë, duke imponuar një sistem zgjedhor të padakordësuar nga palët e tjera./BIRN