MENU
klinika

Udhëtoi drejt vendeve skandinave për t’i shpëtuar atentateve

Si Suedia refuzoi azilin Gentjan Bejtjas dhe i deportoi familjen në Shqipëri

21.03.2024 - 22:25

Për t’i shpëtuar atentateve të njëpasnjëshme, Gentjan Bejtja, pak vite më parë kishte lënë Shqipërinë duke u larguar së bashku me familjen në drejtim të Suedisë.

Pikërisht në këtë shtet Bejtja, ka aplikuar për azil por pas procedurave verifikuese, drejtoria e migracionit në Suedi, ka vendosur të mos i pranojë kërkesën familjes Bejtja.

Megjithëse Bejtja i raportoi komisionit të migracionit një seri atentatesh të ndodhura kundër tij në Shqipëri, sërisht kërkesa e tij për të fituar Azilin u refuzua, duke sjellë deportimin e tij në Shqipëri.

Shkak i refuzimit të dhënies së statusit të Azilit, është bërë një përgjigje e mbëritur nga Drejtoria e Policisë Shqiptare, e cila i paraqiti autoriteteve Suedeze pretendimin se Shqipëria është vend i sigurt, ku rendi dhe siguria publike apo qoftë dhe e individit garantohet nga institucionet ligjzbatuese vendase.

Nisur nga kjo situatë komisioni është bindur që Bejtjas t’i refuzohet kërkesa për Azil.

Sapo është deportuar në Shqipëri, Gentjan Bejtja ka vijuar të qëndrojë i fshehur duke mos u ekspozuar te kundërshtarët e tij me vendodhje në Nikël.

Bejtja ka qëndruar i strehuar nga një grup kriminal në Lezhë, ku herë qëndronte në qytet dhe herë në Shëngjin, nën mbrojtjen e këtij grupi.

Në të dyja rastet që ai la Lezhën dhe shkeli në banesën e tij në Larushk, u qëllua me breshëri kallashnikovi, ku herën e parë ju plagosën dy fëmijët dhe ju vra kunati Ramazan Sino.

Ndërsa herën e dytë mbeti i vrarë vetë me 30 plumba, duke vaditur domate brenda serës së shtëpisë së tij në Larushk.

Sot gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy personat Ilirjan Beqaraj dhe Edison Haxhiu, të dyshuar si pjesëmarës në vrasjen Gentjan Bejtjas.

Krimi i rëndë i ndodhur kundër një eksponenti të krimit të organizuar në Shqipëri ndodhi mesditën e 15 marsit 2024, ku tre nga 4 personat izoluan dy fëmijët dhe nënën e Gentjan Bejtjas duke vrarë më pas njeriun që i kishte shpëtuar më parë 3 atentateve.