Mbrëmjen e sotme, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thyer heshtjen dhe ka zgjedhur që të flasë për një sërë çështjesh në Top Story me Grida Dumën, në Top Channel. Ai u ndal edhe te marrëveshja mes PS dhe Rithemelimit, duke e quajtur ‘pazar’. Por Basha shtoi se nëse në Kuvend shkojnë për miratim propozimet për lista të hapura, votim elektronik dhe vota e diasporës, do të kenë votën e tyre.
Pjesë nga intervista dhe ndërhyrja e panelistëve:
Robert Rakipllari: PS ka hequr dorë nga bërja e rregullave të lojës me pakicën e opozitës, dhe ka zgjedhur shumicën që mos kontestohen nesër zgjedhjet. Është një komision parlamentar ku janë tre me tre, dhe nuk ka ndryshim. Më para ata akuzonin ju, tani ju akuzoni ata…
Lulzim Basha: Është e qartë që thelbi është diçka tjetër, procesi është diçka tjetër dhe ka marrë një goditje të rëndë. Në këtë format për mua është ‘kokë a pil’, është në dorën e Ramës. Nëse këta janë të gatshëm të shkojnë para me propozim që shkojnë tej karakterit politik, si lista e hapur, votimi elektronik, vota e emigrantëve, kanë votën tonë! Gjithçka tjetër mbi këto, si vetingu i politikanëve, apo fuqizimi i SPAK për krime zgjedhore, kanë votën tonë. Ne jemi orientuar te produkti dhe jo karrigia, ata janë te karrigia.