MENU
klinika

Analiza

A i vodhi Putin zgjedhjet presidenciale?

23.03.2024 - 09:15

Me nivelin aktual të manipulimit të dokumentuar në mënyrë të besueshme, s’ka më një shumicë normale. Megjithatë, edhe pse numri i saktë i votave të vjedhura mbetet i panjohur, zgjedhjet presidenciale të 15-17 marsit ishin me siguri më të manipuluarat në historinë e vendit…

Më 18 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë (KQZ), njoftoi se Vladimir Putin do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet edhe për një mandat të pestë presidencial, pas një fitoreje të thellë. Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, Putin mori një rekord prej 87.28 për qind të votave, teksa ka pasur një pjesëmarrje po aq rekord prej 77.44 për qind të popullatës me të drejtë vote.

Çuditërisht, KQZ-ja vazhdon të publikojë të dhëna për qendra votimi të veçanta. Kjo ka bërë të mundur të kuptohet se si autoritetet i kanë fabrikuar në shkallë industriale këto rezultate të paprecedentë. Një investigim i thelluar i portalit tonë, tregon se këto mund të jenë zgjedhjet më të manipuluara në historinë moderne të Rusisë.

Të gjitha analizat e investigimit bazohen tek të dhënat zyrtare nga faqja e internetit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ruse. Ato u analizuan nga programuesi dhe analisti i zgjedhjeve Ivan Shukshin. Të dhënat mbulojnë 98 për qind të qendrave të votimit, duke përfshirë ato nga Krimea e aneksuar nga Rusia, por duke përjashtuar ato nga zonat e tjera të pushtuara  të Ukrainës.

Po cilat janë provat e këtij manipulimi? Disa nga anomalitë statistikore në të dhëna, tregojnë dëshmi të qarta falsifikimesh, pasi ato nuk mund të shpjegohen me asgjë tjetër. Të tjerat duken shumë të dyshimta, por teorikisht mund të kenë shkaqe të tjera.

Investigimi/ Vladimir Putin i fitoi zgjedhjet, duke manipuluar të

Dy anomalitë kryesore të përhapura në thuajse të gjitha zgjedhjet e fundit ruse, janë një korrelacion midis rezultateve të kandidatit të partisë në pushtet dhe pjesëmarrjes, dhe rritjes së vlerave si për pjesëmarrjen e votuesve ashtu edhe për rezultatet e zgjedhjeve. Këtë herë përmasat e të dyja anomalive kanë arritur nivele të paprecedentë.

Analisti i pavarur i zgjedhjeve Sergey Shpilkin, e ka studiuar shpërndarjen e votave dhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet ruse që nga fillimi i viteve 2010. Ai ka krijuar një metodë për dallimin midis votave legjitime dhe fletëvotimeve të falsifikuara.

Sipas logjikës së Shpilkinit, duke qenë se numri i saktë i votuesve që vijnë në një qendër votimi të caktuar dhe numri i votave që ata kanë dhënë për kandidatë të ndryshëm, varet nga faktorë të shumtë të rastësishëm, atëherë përhapja e përgjithshme e pjesëmarrjes së votuesve dhe e rezultateve të kandidatëve nëpër qendra votimi, duhet të jetë karakteristikë e proceseve të rastësishme, dhe që i përshtaten një kurbe normale në formën e një zileje.

Në një shpërndarje të këtyre dy variablave, qendrat e votimit duhet të shfaqen si një pikë e vetme simetrike. Çdo devijim nga kjo shpërndarje, do të konsiderohej anormale dhe do kërkonte një shpjegim të veçantë. Këto lloj devijimesh, janë vënë re në zgjedhjet ruse të paktën që nga viti 2004.

Shpjegimet më të dukshme janë ose mbushja fizike e kutive të votimit ose të dhënat e falsifikuara të votimit. Ky lloj manipulimi, e rrit njëkohësisht numrin e pjesëmarrjes së votuesve dhe përqindjen përfundimtare të votave për kandidatin e partisë në pushtet.

Në zgjedhjet e fundit, është zhdukur bërthama e qendrave tipike të votimit:përveç një zone shumë të zbehtë me rreth 40 për qind të pjesëmarrjes së votuesve, kanë mbetur vetëm qendra votimi anormale. Duke parë ndarjen rajonale, ky grup që mezi bie në sy, përbëhet pothuajse tërësisht nga qendrat e votimit në Moskë.

Russian election garners congratulations and condemnation | Elections News  | Al Jazeera

Por edhe ai ndahet më tej në dy grupime me qendra, ku vërehet një nivel pjesëmarrjeje rreth 65 deri në 85 për qind. Kjo mund të shpjegohej nëse do të kishte në thelb “dy Moska” me nivele thelbësisht të ndryshme të mbështetjes për Putinin. Por asgjë e ngjashme nuk është shfaqur në asnjë nga zgjedhjet e mëparshme.

Një shpjegim tjetër, është ndikimi i votimit masiv elektronik në distancë në qendrat e votimit individual, që rrit përqindjen e votave për Putinin. I njëjti model mund të shfaqet nëse votat nga një kandidat do të rindaheshin tek një tjetër pa mbushur fletëvotimet (ose ndryshimin përkatës të shifrave të “pjesëmarrjes”).

Në Shën Petersburg, tabloja është shumë e ndryshme. Këtu, nuk vërehet asnjë grup qendrash votimi me pjesëmarrje mesatare dhe ndryshimet e panatyrshme në rezultate ndërmjet rajoneve, janë një tregues i qartë se rezultatet janë fabrikuar.

Krimeja e aneksuar dhe qyteti kryesor atje, Sevastopoli, tregojnë një panoramë të ngjashme, por edhe më të theksuar. Shpërndarja anormale e votave, e cila ka humbur çdo ngjashmëri me kurbën në formën e një zileje, mund të shpjegohet ndoshta nga heterogjeniteti i rajoneve ruse. Si mbështetja për qeverinë ashtu edhe pjesëmarrja në votime mund të ndryshojnë shumë për shkak të një sërë faktorësh lokalë.

Por nëse do të ishte vërtet kështu, shpërndarja nuk do të shfaqej në kurbën në formë e ziles, edhe pa manipulime zgjedhore. Anomalia e dytë më e rëndësishme si në këto zgjedhje, ashtu edhe në zgjedhjet e mëparshme, është një dukuri që në Rusi njihet si “Sharra e Churov”:vlera të larta si në pjesëmarrjen e votuesve, ashtu në rezultat.

Në dallim nga korrelacioni midis rezultatit dhe pjesëmarrjes, shkaqet e të cilit mund të debatohen, kjo anomali nuk mund të shpjegohet me asgjë tjetër përveçse me manipulimin e numrave për të arritur rezultatin e dëshiruar. Në të kaluarën, studiuesit Dmitry Kobak, Sergey Shpilkin dhe Maxim Pshenichnikov, kanë verifikuar statistikisht praninë e kulmeve të tilla që në përgjithësi, janë të dukshme edhe me sy të lirë.

Ato u shfaqën për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2004 në Rusi, dhe që atëherë janë bërë më të theksuara. Ne analizuam të dhënat e këtij viti të mbledhura nga Ivan Shukshin duke përdorur të njëjtat metoda. Është e qartë se situata me manipulimin e të dhënave ka ndryshuar rrënjësisht.

Nuk ka më një shumicë dominuese të qendrave të votimit me pjesëmarrje normale, dhe një pakicë të dhënash dukshëm të falsifikuara. Tani këto të fundit përbëjnë shumicën, dhe është e pamundur të izolohet çdo pjesëmarrje normale mesatare nga shpërndarja. Pra shpërndarja e votës nuk është më normale.

Kur krahasojmë zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 me ato të këtij viti, është e rëndësishme të mos harroni se niveli i manipulimit 6 vite më parë ishte aq i madh, saqë rezultatet duhej të ishin anuluar, edhe sipas ligjeve ruse. Në dritën e kësaj, është e dobishme të krahasohet situata aktuale, me atë kur Vladimir Putin u zgjodh për herë të parë president në vitin 2000 (zgjedhjet e fundit presidenciale ruse pa shenja të qarta të shifrave të manipuluara).

Russia election: Putin hails illegal annexation of Crimea after claiming  election win

Në një artikull mbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, Kobak, Shpilkin dhe Pshenichnikov publikuan një grafik që tregonte se si numri i qendrave të votimit me të dhëna të manipuluara, u rrit me kalimin e kohës. Kur shtohen të dhënat e reja nga zgjedhjet e këtij viti, duket se numri i qendrave të votimit që manipulojnë të dhënat, është pothuajse dyfishuar që nga viti 2018.

Duke përdorur metodologjinë e Sergej Shpilkinit, Ivan Shukshin vlerësoi se komisionet zgjedhore i kanë dhënë Vladimir Putinit rreth 22 milionë vota shtesë, kryesisht përmes manipulimit të të dhënave të votimit dhe jo mbushjes fizike të fletëve të votimit.

Por duke përdorur të njëjtat të dhëna, Novaya Gazeta Europe llogariti një tepricë prej 31.6 milionë votash për Putinin. Kjo mospërputhje mund të shpjegohet me faktin se Shukshin dhe Novaya Gazeta Evrope u morën me grupe të ndryshme votash për të përfaqësuar atë që në llogaritjet e tyre u cilësuan si “normale”.

Në realitet, asnjë vlerësim nuk mund të thuhet se përfaqëson me saktësi situatën aktuale. Siç mund të shihet në grafikët, në Rusi nuk ka më një grup qendrash votimi normale, nga të cilat mund të llogaritet përqindja mesatare e vërtetë e votave të hedhura për kandidatët.

Sigurisht, metoda e Shpilkin ka kufizimet e veta. Ajo merr parasysh vetëm shifrat e fryra në qendrat e votimit, dhe jo llojet e tjera të manipulimit. Po ashtu, funksionon vetëm kur anomalitë nuk bëhen shumicë. Me nivelin aktual të manipulimit të dokumentuar në mënyrë të besueshme, s’ka më një shumicë normale. Megjithatë, edhe pse numri i saktë i votave të vjedhura mbetet i panjohur, zgjedhjet presidenciale të 15-17 marsit ishin me siguri më të manipuluarat në historinë e vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zgjedhjet në Rusi u shoqëruan me protesta

Analiza e DW: Përse duhet mundimi kur dihet fituesi?