MENU
klinika

Analiza

A mundet Netanyahu të injorojë gjithë botën?

23.03.2024 - 09:20

Nga World Crunch

Për arsye të kuptueshme historike, Gjermania zakonisht nuk i lejon vetes as edhe kritikën më të vogël ndaj Izraelit. Megjithatë, gjatë një vizite në shtetin hebre të dielën, kancelari gjerman foli për koston e madhe njerëzore të luftës në Gaza.

Por padyshim që është kritika amerikane ajo që dhemb më shumë, siç është kritika e fundit nga Presidenti Joe Biden; ose nga senatori Chuck Schumer, ndër figurat më të shquara politike hebre-amerikane.

Udhëheqësi i mazhorancës demokrate në Senat bëri thirrje për zëvendësimin e kryeministrit izraelit përpara se, tha ai, Izraeli të bëhet një shtet “paria”.

Netanyahu akuzoi Perëndimin se ka “një kujtesë të shkurtër” dhe se ka humbur “ndërgjegjen morale” pavarësisht masakrës të 7 tetorit.

Sipas tij, zgjedhjet e sotme do të nënkuptonin humbjen e Izraelit dhe fitoren e Hamasit. Siç e di ai, do të nënkuptonin edhe humbjen e tij, nëse do t’u besohej sondazheve.

Toni i ashpër tregon jo vetëm se kryeministri izraelit nuk është i përgatitur për t’i diktuar se çfarë të bëjë, por edhe se amerikanët në të vërtetë nuk po ushtrojnë asnjë presion. SHBA-ja siguron municionin për një luftë, objektivin e së cilës – çrrënjosjen e Hamasit e miraton, por metodat jo.

Kjo kontradiktë reflektohet në kaosin tragjik humanitar në Gaza.

Sulmet në Rafah

Shpërndarja e armëve dhe ushqimeve në të njëjtën kohë është e paqëndrueshme në planin afatgjatë, veçanërisht kur ndodhin ngjarje të përgjakshme si vdekja e civilëve.

Do të bëhet edhe më e paqëndrueshme nëse Izraeli sulmon qytetin Rafah, në jug të Gazës.

Udhëheqësit perëndimorë e kanë paralajmëruar Izraelin kundër një sulmi në Rafah, me miliona civilë në ankth. Duke përfshirë Olaf Scholz ditën e djeshme. Kryeministri izraelit riafirmoi të dielën në CNN synimin e tij për të nisur ushtrinë e tij në Rafah.

Ai madje rrezikoi të bënte një paralele të guximshme, duke thënë se të mos sulmosh Rafah dhe në këtë mënyrë forcat e Hamasit që janë atje është e barabartë me të lënë një të katërtën e nazistëve të paprekur dhe të heqësh dorë nga marrja e Berlinit në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Këto polemika shtojnë konfuzionin e përgjithshëm. Netanyahu nuk po përballet vetëm me kritika ndërkombëtare: ai është në konflikt me anëtarët e kabinetit të luftës, me ministrin e tij të Mbrojtjes dhe me një pjesë të opinionit publik që e akuzon atë për braktisjen e pengjeve.

Në këtë klimë, negociatat për një armëpushim rifilluan të dielën në Doha. Por Netanyahu dhe Hamasi kanë secili arsyet e veta për vazhdimin e kësaj lufte mizore, edhe nëse duket se e gjithë pjesa tjetër e botës dëshiron që lufta të mbarojë sa më shpejt.