MENU
klinika

Analiza

Rezoluta për Gazën, shenja se SHBA ka braktisur Izraelin

26.03.2024 - 10:02

Votimi në Kombet e Bashkuara është një zhvillim kryesor diplomatik. Për herë të parë në këtë luftë, Këshilli i Sigurimit po bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Më e rëndësishmja, kjo shënon një ndryshim në pozicionin e SHBA-së: amerikanët nuk vendosën veton ndaj rezolutës, siç kishin bërë në tre raste të mëparshme.

Kjo është një tjetër shenjë e zhgënjimit të madh të administratës Biden me mënyrën se si Izraeli ka zhvilluar fushatën e tij, e cila është përballur me kritika të forta ndërkombëtare.

Nuk është për t’u habitur që kryeministri Benjamin Netanyahu kritikoi menjëherë SHBA-në pas votimit, duke thënë se abstenimi ishte një largim i qartë nga pozicioni amerikan, pasi rezoluta nuk e kushtëzoi armëpushimin me lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gaza.

Netanyahu anuloi udhëtimin e një delegacioni izraelit në Uashington, me qëllim që t’u shpjegonte zyrtarëve amerikanë planet e ushtrisë për një ofensivë në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë janë strehuar pasi janë detyruar të largohen nga pjesë të tjera të territori.

SHBA dhe vende të tjera, si dhe OKB-ja dhe organizatat e ndihmës, thonë se çdo inkursion do të çojë në një fatkeqësi humanitare.

Netanyahu, megjithatë, është zotuar se do të vazhdojë, me ose pa mbështetjen amerikane, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të mposhtur Hamasin./CNN