Tre ekspertë rikthehen sot në vendin e krimit në Elbasan për të rindërtuar skenën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit, tre vite pas ngjarjes së rëndë, autor i të cilës dyshohet ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Palekaj.
Ekspertiza do të kryhet në orën 10:00 pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë më 18 mars, e cila shtyu seancën ndaj Arbër Paplekajt për rindërtimin e skenës së krimit.
Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar ditën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021.
Apeli njoftoi policinë e Elbasanit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë që të garantoheshin masat për kryerjen e eksperimentit dhe të rindërtimit të ngjarjes.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm deklaroi se 1 ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspertë të pavarur do rindërtojnë skenën e krimit.
Ata do jenë Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspert i pavarur.
Ndërsa eksperti i Policisë se Shtetit tha se nuk mund të marrë pjesë në këtë proces, sepse nuk ia lejon rregullorja e punës.
DENIMET
Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 22 vite burg ish-policin Arbër Paplekaj, për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani.
Me nga 1 vit shërbim prove gjykata dënoi dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Ndërsa 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu u dënuan me nga 16 muaj shërbim prove.