Kryebashkiaku i dorëhequr i Himarës, Jorgo Goro është shtruar në spital pasi ka shfaqur probleme shëndetësore në qeli.
Ai mësohet se nuk është ndjerë mirë mbrëmjen së martës dhe autoritetet e burgut e kanë transferuar për ndihmë mjekësore në QSUT.
Jorgo Goro, i cili u arrestua për shpërdorim detyre më 23 mars, vuan nga probleme të zemrës dhe me tensionin, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Dorëheqja nga posti
Ditën e sotme (27 mars) u bë publike letra e dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti i kryebashkiakut të Himarës.
Në një letër nga qelia e burgut drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës ai ka treguar arsyet e vendimit të tij, teksa u shpreh se largohet nga deyra “me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur”.
Jorgo Goro, i cili mbante postin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës pas arrestimit të Fredi Belerit që fitoi zgjedhjet e 14 Majit, u shpreh se ndodhet në një situatë absurde me drejtësinë, sipas tij, për një faj që nuk e ka bërë dhe se duhet të përballet me Gjykatën.
“Po ndërkohë nga fundjava që sapo kaloi jam në një situatë absurde me drejtësinë për një faj që nuk e kam bërë. Akuzohem për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” me zyrtarë në Vlorë që s’kam asnjë lidhje dhe për “falsifikim” dokumentash që tek kryetari i bashkisë kalojnë vetëm për firmë. Por ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral”, u shkruan Jorgo Goro.