Më 1 Janar 2019 hyn në fuqi metodologjia e re e përllogaritjes së taksës së pronës, që do të thotë se qytetarët do të paguajnë më shumë se sa kanë paguar aktualisht.
Megjithëse ishte parashikuar që kjo metodologji të niste aplikimin nga 1 Prilli 2018, vendorëve u është lënë afat fillimi i vitit që vjen, në mënyrë që të bënin të gjithë infrastrukturën gati. Por, sërish mbledhja e saj do të hasë vështirësi pasi nuk është ngritur kadastra fiskale, ndërsa agjentin e mbledhjes do ta përcaktojnë bashkitë.
Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15% .
Sa i takon formulës aktuale të vjeljes së kësaj takse, pushteti vendor për 11 muaj të vitit ka realizuar 91% të planit dhe ka mbledhur në total 4.8 miliardë lekë nga qytetarët për taksën e pasurisë, ndërsa kanë mbetur edhe 505 milionë lekë.
Zëri i taksës së pasurisë është i dyti për nga pësha që zë në të ardhurat e bashkive, pasi arkën e vendorëve më së shumti e mbushin taksat lokale ku për periudhën Janar-Nëntor 2018 janë mbledhur rreth 13.8 miliardë lekë më një nivel realizimi në 93%.
Referuar treguesve fiskalë të konsoliduar të publikuar nga Ministria e Financave, në total bashkutë kanë mbledhur 19 miliardë lekë, ndërkohë që plani është 20.6 miliardë lekë. Taksa mbi biznesin e vogël zë peshën më të vogël ku janë mbledhur rreth 310 milionë lekë.