MENU
klinika

Zbulohen emrat

Cilët janë zyrtarët e Bashkisë së Tiranës të vënë nën akuzë nga SPAK; skema si morën dhjetëra tenderë

28.03.2024 - 20:31

Mësohet se masë sigurie arrest me burg është firmosur për Mariglen Qaton, ish-drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtorin e UKT-së Redi Molla. SPAK ka kërkuar masë të dytë sigurie edhe për Taulant Tushen, ish-drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranës. Ky i fundit është në qeli për aferën me incenceratorin e Tiranës.

Ndërsa detyrim paraqitje janë lënë:

Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit dhe Trafikut Rrugor, Bashkia Tiranë;

Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve;

Albano Janku, Drejtoria e Planifikimit të Burimeve Njerëzore;

Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k;

Debora Keçi, drejtuese e Klubit Sportiv Tirana;

Elantina Zere, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit.

Skema e vjedhjes
Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Pra ata i jepnin tenderë vetes së tyre. Më konkretisht:

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.

Është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi Mariglen Qato ka patur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Elantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Elantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Debora Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Debora Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit N.M user-at e anëtarëve të KVO-së.