Nesër do të jetë mbledhje e këshillit bashkiak të Himarës, për herë të parë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro. Këshilli bashkiak pritet të caktojë njërin prej dy nënkryetarëve të bashkisë në detyrën e kryetarit.
Për mediat dha një prononcim, prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo. Ai u shpreh se diçka e tillë është kompetencë e këshillit dhe janë ata përgjegjës nëse diçka e tillë vendoset nesër në rend dite.
‘Nuk ka votë, fletë votimi, kuti votimi, komision votimi. Por vetë këshilli cakton. Procedurën se si e cakton është punë e tyre. Mundet që një nga anëtarët e këshillit të propozojë një nga dy nënkryetarët dhe të kërkohet miratimi me ngritjen e dorës. Pra cakton, nuk zgjedh. Duhet ta sqarojmë këtë gjë për publikun.
Nesër ka një mbledhje të këshillit të bashkisë së Himarës me një rend të përcaktuar. Unë nuk e di, kjo është totalisht kompetencë e këshillit të bashkisë. Janë ata përgjegjës për të vendosur në rend të ditës ose jo sipas mënyrës së funksionimit të këshillit të bashkisë për ta përcaktuar ose jo, do të bëhet apo nuk do të bëhet nesër caktimi i njërit nga dy nënkryetarët.’, u shpreh Tavo.
Jorgo Goro u vu në pranga ditën e shtunë më datë 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë. Prej kohësh është përfolur për një kryetar tjetër në bashkinë e Himarës, pasi kandidati që fitoi më 14 maj, Fredi Beleri ndodhet në burg, ndërsa Goro ushtronte detyrën ende megjithëse humbi zgjedhjet.
Fillimisht u fol se mazhoranca do të caktonte Vangjel Tavon në këtë detyrë, mirëpo pak kohë më parë kryeministri e emëroi prefekt të qarkut të Vlorës.