Nuk duhet të jetë më e paimagjinueshme, që deri në fund të dekadës një kombinim i qeverive populiste të djathta dhe të majta të jenë në pushtet në një numër të madh shtetesh të BE-së. Është e lehtë të imagjinohet ajo që do të ndodhë më pas…
Supozohej se komunizmi kishte marrë fund pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Por ringjallja e kohëve të fundit e Partisë Komuniste të Austrisë (KPO) në Salzburg të Austrisë, tregon se kjo fantazi mund ta përndjekë ende Evropën. Partitë e ekstremit të majtë po bëhen gjithnjë e më popullore në të gjithë Bashkimin Evropian.
Partia Sinn Fein në Irlandë, dikur krahu politik i Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA) që cilësohej nga Londra një organizatë terroriste, vazhdon të kryesojë sondazhet irlandeze në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Partia e Punëtorëve të Belgjikës (PTB) e ka rritur ndjeshëm mbështetjet që nga zgjedhjet e fundit dhe tani është gati të sfidojë Vlaams Blok të ekstremit të djathtë për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Parti të ngjashme po fitojnë shumë terren në Gjermani (Bundnis Sahra Wagenknecht), Danimarkë (E majta e Gjelbër, SF dhe Kuqe-Gjelbrit), madje edhe në Norvegji (Socialistët Popullore, SV). Për shumë çështje, këto parti kanë të përbashkëta me të djathtën ekstreme. Sahra Wagenknecht, liderja e partisë me të njëjtin emër, ka miratuar praktikisht programin nacionalisto-populist të Alternativës për Gjermaninë në lidhje me migracionin.
BSW, ashtu si AfD, e kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë dhe bën thirrje për një fund të negociuar të luftës. Kuqe-Gjelbrit në Danimarkë duan më shumë sovranitet kombëtar përballë një BE-je që pretendon se vendos shpesh interesat e biznesit të madh përpara popullit.
PTB kundërshton masat e kursimit si dhe rivendosjen e objektivave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes. Kombinimi nga Sinn Fein i uljes së madhe të taksave për klasën punëtore irlandeze dhe rritjes së taksave të mëdha për biznesin dhe klasën e mesme, me një zgjerim të madh të shpenzimeve publike, është një përzierje klasike e shtrigave të ekonomisë populiste, me synim për të marrë votën.
Po ashtu, partitë e ekstremit të majtë priren të turpërohen nga dominimi amerikan në sistemin e mbrojtjes evropiane nëpërmjet NATO-s. Për shembull, PTB e quan NATO-n një “aleancë sulmuese”, dhe thotë se avioni luftarak F-35 i ndërtuar nga SHBA është “zhvilluar për ndërhyrje ushtarake sulmuese”.
BSW thotë se vitet e fundit Shtetet e Bashkuara kanë “5 vende në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” dhe se NATO “po kontribuon në paqëndrueshmërinë globale”. Partitë e tjera shmangin përballjen e drejtpërdrejtë me politikën aktuale, ndërsa theksojnë angazhimet e tyre ndaj neutralitetit dhe diplomacisë, në vend që të mbështesin përpjekjet e udhëhequra nga SHBA, si ndihma ushtarake e NATO-s apo BE-së për Ukrainën.
Asnjë parti nuk i ilustron më mirë këto tendenca politike sesa KPO. Austria ishte prej kohësh një nga vendet e pakta evropiane pa një alternativë të majtë ndaj socialdemokratëve. KPO ishte e përfaqësuar në parlament kur BRSS pushtoi një pjesë të vendit.
Por nuk ka pasur përfaqësim kombëtar që nga zgjedhjet e vitit 1956. Ajo ka luftuar për dekada, dhe që nga vitet 1970 nuk ka marrë mbi 1 për qind të votave. Megjithatë, tani disa sondazhe po tregojnë se ajo e tejkalon pragun 4 për qind për të fituar mandate në parlament. Kjo rritje e mbështetjes ka ndodhur pavarësisht refuzimit të saj sfidues për të ndryshuar emrin. Faqja në internet e kësaj partie, përmban një mbrojtje të krenarisë së saj për emrin që mban.
Në të argumentohet se emri komunist” mund të jetë edhe një atribut pozitiv për votuesit e pakënaqur me sistemin aktual politiko-ekonomik. Fakti që qyteti i dytë më i madh i Austrisë, Graci, ka një kryetar bashkie komunist dhe që kandidati komunist mori 37 për qind në balotazhin për bashkinë e Salzburgut, sugjeron se ata mund të kenë të drejtë.
Këto zhvillime duhet t’i shqetësojnë evropianët, sepse KPO gjithashtu mbetet e përkushtuar ndaj të menduarit të vjetër dialektik marksist. Ajo beson ende se prona private i skllavëron njerëzit dhe se është e nevojshme pronësia publike. Ajo ende shpall angazhimin e saj për një shoqëri socialiste dhe zëvendësimin e kapitalizmit.
Ajo e kritikon konsensusin neo- liberal që është themeli i BE-së së sotme. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se çfarë do të ndodhte nëse KPO ose partitë e saj simotra, do të bëheshin lojtare të fuqishme në politikën evropiane. Rritja e fortë e KPO-së është qartazi shenjë e pakënaqësisë së gjerë me status quo-në, e cila nuk kufizohet vetëm në Austri.
Bierpartei – Partia e Birrës – merr rreth 7 për qind në sondazhet e fundit ndërsa Partia e Lirisë (FPO) e së djathtës ekstreme kryeson me 30 për qind. Mbi 40 për qind e austriakëve zgjedhin kështu një parti jo të establishmentit.
Aktualisht, mbi 50 për qind e irlandezëve u thonë anketuesve se do të mbështesin të pavarurit ose një parti që nuk ka ekzistuar në politikën irlandeze përpara Krizë së Madhe Financiare të vitit 2008. Një sondazh i kohëve të fundit tregoi se Tubimi Kombëtar i Marine LePen (RN), do të fitojë shumë vende në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Francë, dhe se afërsisht 60 për qind e vendeve do të shkonin ose për RN ose për aleancën populiste të së majtës ekstreme NUPES.
De kjo nuk është e rastësishme. Zemërimi ndaj një status quo-je në dukje të pa reformueshme, do t’i shtyjë njerëzit drejt personaliteteve dhe partive që janë qartazi dhe padyshim të pa ndotura nga shoqërimi me të. Deri më tani nga kjo ka përfituar nga e djathta nacionaliste populiste.
Por nuk ka asnjë arsye të natyrshme se pse kjo situatë mund të mos mund ndihmojë edhe të majtën populiste. Dështimi i vazhdueshëm i konsensusit të elitës për të ofruar paqe, stabilitet social dhe prosperitet të përbashkët, po i shtyn votuesit anembanë Evropës drejt partive më parë të paimagjinueshme. Nuk duhet të jetë më e paimagjinueshme, që deri në fund të dekadës një kombinim i qeverive populiste të djathta dhe të majta të jenë në pushtet në një numër të madh shtetesh të BE-së. Është e lehtë të imagjinohet ajo që do të ndodhë më pas.