Nga World Crunch
“A duhet t’i përgatisim fëmijët tanë për luftë?”
E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung botoi një artikull javën e kaluar me këtë titull.
Artikulli kishte të bënte me propozimin e Ministres së Arsimit Bettina Stark-Ëatzinger për të organizuar ushtrime të mbrojtjes civile në shkolla dhe për të zhvilluar një “marrëdhënie të qetë me Bundesëehr-in” falë vizitave të rregullta në klasë nga forcat e armatosura.
Dhjetë ditë më parë, Shoqata Gjermane e Qyteteve dhe Bashkive bëri thirrje për miratimin e miliarda eurove për të rikthyer në shërbim bunkerët e papërdorur dhe për të ndërtuar të rinj.
Nga 2,000 strehimore publike që datojnë nga Lufta e Ftohtë kanë mbetur vetëm 600, me një kapacitet total prej 500,000 njerëz. Krejt e paimagjinueshme në Francë, ky lloj debati pasqyron hendekun që ndan Francën dhe Gjermaninë në perceptimin e tyre për luftën në Ukrainë.
Gjeografia, pesha e historisë, por edhe dallimet në sistemet politike dhe fuqinë ekonomike shpjegojnë pjesërisht dallimet në këtë temë mes Francës dhe Gjermanisë.
Në lidhje me Pekinin, Moskën dhe Uashingtonin, këto dallime arritën kulmin në fund të shkurtit, kur presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi publikisht se trupat tokësore nuk mund të përjashtoheshin.
Në një video dy ditë më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se NATO nuk ishte dhe nuk do të ishte një “palë e interesuar” në këtë luftë.
Naiviteti strategjik
Megjithatë Parisi dhe Berlini filluan nga një bazë e përbashkët. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga shtetet baltike dhe Polonia, të dyja vendet treguan një naivitet të caktuar strategjik ndaj Rusisë.
Ata të dy e nënvlerësuan kërcënimin rus. Ndryshe nga SHBA dhe Britania e Madhe, shërbimet e tyre të inteligjencës nuk besonin në një pushtim.
Lufta në Ukrainë ka zbuluar gjithashtu kufizimet e tyre përkatëse. Ambicioze, por me xhepa bosh, Franca ka një ushtri operacionale që pretendon të jetë e plotë, pra me aftësi dhe ekspertizë që mbulon të gjitha fushat e një konflikti modern.
Por është një ushtri bonsai, të cilës i mungojnë pajisjet dhe municionet për të rezistuar në një konflikt me intensitet të lartë. Mbështetja e saj për përpjekjet e luftës në Ukrainë është më pak se ajo e Gjermanisë.
Në 2022-2023, Parisi i dha Kievit 3.8 miliardë euro armatime, sipas llogaritjeve të vetë qeverisë, krahasuar me 17.7 miliardë euro të dërguara nga Berlini.
Nga ana tjetër, Gjermania po bën të pamundurën për të siguruar një opinion publik që i frikësohet një zgjatjeje të konfliktit dhe po bën hapa të mëdhenj për sa i përket llojit të armëve që duhet të dërgohen në Kiev.
Gjermanët kundërshtojnë dërgesat e raketave
Dërgimi i tankeve Leopard 2 u zhbllokua vetëm me dorëzimin paralel të tankeve amerikane Abrams. Dhe ndërsa Britania e Madhe dhe Franca kanë furnizuar Kievin me raketa Storm Shadoës dhe Scalp, Scholz i ka rezistuar presionit nga partnerët e tij të koalicionit për më shumë se një vit për të dërguar raketa Taurus, me një rreze shumë më të madhe (500 km).
Scholz ka mbështetjen e vendit të tij në këtë çështje. Sipas sondazheve, 61% e gjermanëve janë kundër dorëzimit të këtyre raketave.
Kancelar i paqes
Refuzimi i Scholz dhe pohimi i qartë i dallimit të tij me Macron për dërgimin e trupave tokësore i ka dhënë titullin si “kancelari i paqes” në sytë e publikut edhe pse ai ka dyfishuar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2024.
Ky pozicionim është shumë i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve europiane në qershor dhe zgjedhjeve rajonale në Gjermaninë Lindore në shtator.
Shumë në Partinë Social Demokrate kujtojnë se Gerhard Shroder fitoi ngushtë zgjedhjet federale të vitit 2002 duke kundërshtuar vendosjen e trupave në Irak.
Ndërsa Scholz po ecën mesa duket në fijë të perit, Macron ka bërë një kthesë të madhe. Pasi theksoi nevojën “për të mos poshtëruar Rusinë” në qershor 2022, ai këmbënguli një vit më vonë se Rusia duhet “të mposhtet”, përpara se të thoshte në shkurt se dërgimi i trupave në Ukrainë nuk duhej të përjashtohej si mundësi.
Një trajektore që përforcon paragjykimet gjermane për pabesueshmërinë dhe paparashikueshmërinë franceze, edhe pse për Parisin është rezultat i përkeqësimit të situatës në terren.
Në të vërtetë, Franca dhe Gjermania ndajnë bindjen se mbështetja e Ukrainës është jetike.
Por të dy vendet pengohen nga dallimet në institucionet e tyre, me një president francez që mund të luajë me një formë “paqartësie strategjike” dhe një kancelar gjerman, politika e jashtme e së cilës varet shumë më tepër nga parlamenti.
Interpretime të ndryshme
Parisi dhe Berlini gjithashtu e kanë interpretuar luftën ndryshe. Franca e sheh atë si një mundësi për Europën për të fituar sovranitetin, ndërsa Gjermania e sheh atë mbi të gjitha si nevojë për të investuar shumë në forcimin e mbrojtjes së NATO-s dhe kufizimin e perspektivës së shkëputjes së SHBA-së.
Kjo strategji reflektohet në dëshirën e Bundesëehr-it për t’u bërë ushtria kryesore konvencionale e Europës dhe në iniciativën Euro Sky Shield. Bazuar në pajisjet amerikane, gjermane dhe izraelite, kjo nismë ka acaruar shumë Parisin.
Dallimet mes Parisit dhe Berlinit nuk janë të reja. Ato ekzistonin në kohën e Zhak Shirakut dhe Gerhard Shroderit dhe kanë vazhduar me liderët që i pasuan.
Ndërsa të dy vendet ranë dakord për një reformë të tregut të energjisë elektrike dhe Paktin e Stabilitetit të BE-së vitin e kaluar, krijimi i një Unioni të Tregjeve të Kapitalit ka ngecur që nga viti 2015.
Konteksti, megjithatë, ka ndryshuar. Ndërsa presioni mbi Ukrainën intensifikohet dhe kthimi në pushtet i Donald Trump duket i mundshëm, këto dallime duken më pak të durueshme se më parë.
Të premten e kaluar, Parisi dhe Berlini njoftuan se do të krijohej një grup franko-gjerman KNDS në Ukrainë për të prodhuar pjesë këmbimi për Kievin.
Ky lloj njoftimi do të ishte vlerësuar në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, ku shqetësimet perëndimore rreth aftësisë së Ukrainës për të qëndruar ishin veçanërisht të dukshme.
Një nismë e “çiftit” franko-gjerman do të kishte qenë në kohën e duhur. Por nuk ndodhi.