Doganat greke kanë paralajmëruar një grevë 48 orëshe nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit dhe deri në 04 prill në 08.00 të mëngjesit.
Si pasojë e grevës do të paralizohet totalisht lëvizja e mjeteve drejt Greqisë në të gjitha pikat doganore që lidhin vendin me vendet e rajonit. Përsa i përket doganave greke, stafi paralajmëroi pjesëmarrje të gjerë në grevë.
Sipas burimeve nga Kakavija e Kapshtica, gjatë 48 orëve të grevës nuk do të mund të lëvizë asnjë mjet udhëtarësh dhe kamionë nga dhe drejt Greqisë. Do të lejohen vetëm këmbësorët të cilët kalojnë pa bagazhe dhe çanta.
Sindikata e doganave tha se vendimi për fillimin e grevës ishte i pa shmangshëm pasi qeveria nuk ka përmbushur asnjë nga pikat e kërkesave të kësaj sindikate.
Gjithashtu, Sindikata pranoi ti përgjigjet pyetjeve lidhur me problemet që mund të shkaktohen prej kësaj greve pasi përkon me ditët pas pashkës katolike dhe parashikohen levizje të shtuar qytetarësh në dogana dhe kërkesë të shtuar për mallra.