Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, 2 prill, kur një mjet me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinët, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra.
Një aksident i rëndë me 8 viktima ka ndodhur aksin rrugor Këlcyrë- Përmet. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm, 2 prill, kur një mjet me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinët, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra Sokol Ismeti.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por burime bëjnë me dije se mjeti me emigrantë të paligjshëm është pikasur nga patrulla policore duke shtuar shpejtësinë.
Drejtuesi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar, duke u marrë jetën të 8 personave që gjendeshin brenda.
“Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, njofton policia.
Në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik, si edhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.