MENU
klinika

Pistë hetimi konfliktet për çështje pronësie

Shpërthim me tritol në një mobilieri në Durrës!

03.04.2024 - 11:04

Një shpërthim me tritol ka ndodhur orët e para të mëngjesit në një mobileri në Kodër Rrashbull në Durrës. Mësohet se një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur në fasadën e dyqanit të “Luart Mobileri” pas mesnate.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, ku duken xhamat përtokë që janë thyer për shkak të shpërthimit. Banorët e zonës shprehen se janë trembur nga shpërthimi i fortë.
“E dëgjuam në orën 4. Bombë ku e di unë ca ishte. U trembëm”, thotë një banore.

Policia njofton se pistë hetimi është konflikti për çështje pronësie, por nga ana tjetër në një deklaratë për mediat pronari Artan Alla e mohon, duke thënë se nuk ka konflikte me askënd.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie”, njofton policia.
“S’kam konflikti me asnjë njeri në botë, as për prona s’kam konflikt, as borxh si kam kujt, e kam me leje ndërtimi, me licencë. Rri këtu te dera e dyqanit me serbes, nuk kam konflikt me asnjeri”, tha pronari për mediat.
Biznesi është i pajisur me kamera sigurie dhe pronari tregon se është filmuar momenti kur një person i maskuar hedh lëndën plasëse dhe largohet në këmbë. Artan Alla thotë se kjo është hera e tretë që i kanë vendosur lëndë plasëse në biznesin e tij.
“Kjo është hera e tretë që ma hedhin, e kanë hedhur njëherë në nëntor, njëherë para 3-4 javësh dhe sot prapë”, thotë ai.
Policia ende nuk ka identifikuar autorin e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë. Deri më tani 3 persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje.
*Raportuan për Report Tv e Shqiptarja.com gazetarët Artur Korriku dhe Aldo Mustafa