MENU
klinika

Pandemia e radhës po vjen

‘Financial Times’: A është bota gati për “Sëmundjen X?

05.04.2024 - 09:17

Në mars, zyrtarë nga 194 vende u mblodhën për të dakordësuar një plan global mbi një kërcënim të njohur si “Sëmundja X”.

Emri i koduar ogurzi i referohet sëmundjes ende të panjohur që pritet që një ditë mund të shkatërrojë botën në një pandemi duke si Covid-19 ose ndoshta do të shkaktojë dëme edhe më të mëdha.

Kjo frikë ka bërë që të kryhen 9 raunde negociatash të mundimshme ndërkombëtare mbi tekstin e traktatit të parë të pandemisë në botë, i cili duhet të arrihet përpara se të mblidhet asambleja vjetore vendimmarrëse e OBSH-së në maj.

Marrëveshja synon të ndihmojë qeveritë, institucionet dhe popullsinë të shmangin gabimet që u bënë gjatë krizës së Covid, por kjo ka krijuar debate të mëdha. Në bisedimet që janë zhvilluar online dhe fizikisht në Gjenevë, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po u bëjnë presion kombeve të pasura dhe kompanive farmaceutike që të shkojnë shumë më tej sesa kanë bërë më parë në ndarjen e burimeve shëndetësore që shpëtojnë jetë.

Disa konservatorë në SHBA dhe më gjerë argumentojnë se traktati është shumë i gjerë. Kur raundi i fundit i bisedimeve u mbyll pa marrëveshje më 28 mars, titulli i një lajmi në Fox News ishte: “Sëmundja X: Kritikët thonë se administratori i Biden po shet sovranitetin e SHBA me traktatin e OBSH”.

Tensionet gjeopolitike në rritje mes vendeve të fuqishme dhe ndryshimet politike brenda disa prej tyre po kërcënojnë të prishin synimet e traktatit. Në qendër të debateve është drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili mbetet i bindur se vendet do të bien dakord për një marrëveshje deri në afatin e saj.

“Ata e dinë se kush dhe çfarë dëshiron. Kështu që është koha për të dhënë dhe për të marrë tani” – thotë ai. Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar se mund të mos kemi një marrëveshje historike që do të përmirësonte gatishmërinë ndaj një pandemie. Kjo do të dëmtonte përpjekjet për të korrigjuar dështimet serioze të monitorimit, reagimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që çuan në miliona vdekje dhe dëme të rënda ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga Covid-19.

“Shpresoj që përvoja e kësaj pandemie t’u kujtojë njerëzve se kur këto ngjarje ndodhin, sigurisht në atë shkallë, ato bëhen vërtet shqetësime të sigurisë globale. Siguria shëndetësore, siguria ekonomike dhe madje edhe siguria kombëtare janë në rrezik kur sëmundjet infektive dalin jashtë kontrollit” – thotë Richard Hatchett, shefi ekzekutiv i Koalicionit Ndërkombëtar për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (Cepi).

Vendet duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të investuar në strukturën e kujdesit shëndetësor për të mos lënë mësimet e Covid-19 të zhduken, thotë Ashley Bloomfield, një ish-zyrtare shëndetësore e Zelandës së Re. Reagimi ndaj shpërthimeve të sëmundjeve ka qenë historikisht një “cikël paniku dhe neglizhimi”, thotë ajo.

Kërcënimi i sëmundjeve zoonotike, që kalojnë nga kafshët tek njeriu kanë qenë prej kohësh mes nesh. Tërbimi dhe salmonela janë dy shembuj apo dhe virusi Ebola që shpërtheu në Afrikën perëndimore në 2014. Këta faktorë, të kombinuar me përvojën e zymtë të Covid-19, lindën idenë e një traktati ndërkombëtar për gatishmërinë dhe reagimin ndaj pandemisë.

Supozohet që të ketë një mënyrë për të mos përsëritur spektaklin e vendeve të pasura dhe të fuqishme që blenë miliarda doza vaksinash për veten e tyre, ndërkohë që pjesa më e madhe e botës kishte qasje minimale. Në një artikull të përbashkët të botuar në mars 2021, dy duzina liderësh të vendeve duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Afrikën e Jugut dhe Indonezinë propozuan një marrëveshje për të “nxitur një qasje të re të gjithë qeverive dhe të gjithë shoqërisë”.

Qëllimi i tyre ishte të përmirësonin bashkëpunimin global në sistemet e alarmit, shkëmbimin e të dhënave dhe kërkimin, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e masave shëndetësore, të tilla si vaksinat, ilaçet, diagnostifikimi dhe pajisjet mbrojtëse personale. Traktati do të ishte një kuadër detyrimi etik dhe jo detyrimi ligjor. Drafti ka ngritur akuza se është një rrëmbim i pushtetit të OBSH-së.

Edhe pyetja se sa para po shpenzohen për përmirësimin e gatishmërisë ndaj pandemive është e vështirë të ketë përgjigje. Banka Botërore, me ndihmën e OBSH-së, ka krijuar një Fond Pandemik për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që të përmirësojnë gatishmërinë dhe reagimin e tyre. BB tha në shkurt se kishte mbledhur më shumë se 2 miliardë dollarë kapital fillestar nga 27 kontribues.

Mosmarrëveshja e burimeve është pjesë e një sërë dallimesh gjeopolitike që duhet të kapërcehen, ose të paktën të menaxhohen, nëse traktati i pandemisë dhe përpjekjet më të gjera të gatishmërisë duan të kenë sukses.

Një polemikë e ndezur është mbi misterin e vazhdueshëm rreth mënyrës se si Covid u shfaq në Kinë në fund të 2019. Hetuesit ndërkombëtarë kanë pasur vetëm akses të kufizuar, duke lënë pa përgjigje pyetjet vendimtare si nëse virusi doli nga një rrjedhje laboratorike.
OBSH i shkroi sërish Kinës javën e kaluar duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim, pasi të kuptuarit se si filloi pandemia Covid është thelbësore si për arsye shkencore ashtu edhe për ato morale, thotë Tedros. “Ne ende nuk e dimë përgjigjen – dhe kjo në një farë mënyre mund të na verbojë kur të vijë pandemia tjetër,” thotë ai.

Pekini ka marrë pjesë në bisedimet e traktatit pandemik, duke argumentuar se marrëveshja duhet të fokusohet në “nevojat praktike të vendeve në zhvillim dhe të pasqyrojë parimet e drejtësisë, solidaritetit, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes”, sipas gazetës China Daily të kontrolluar nga qeveria.
Në të njëjtën kohë, Kina – si fuqitë e tjera të mëdha – dëshiron të ruajë sovranitetin dhe fleksibilitetin e veprimit, sipas një letre që analizon motivet dhe veprimet e vendit të botuar në janar në revistën Frontiers in Public Health. “Ndërsa miraton bashkëpunimin global, Kina këmbëngul në kushte vullnetare pa cenuar hapësirën e politikave,” shkruajnë autorët.
Një tjetër pasiguri për traktatin është përfshirja e SHBA. Mbështetësit e marrëveshjes thonë se duhet të bihet dakord përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit në nëntor, në rast se Donald Trump kthehet në pushtet. Në korrik 2020, Trump nxiti procesin formal për të tërhequr vendin e tij nga OBSH; janarin e ardhshëm, Joe Biden e anuloi atë vendim në një nga aktet e tij të para pasi u bë president./ Marrë me shkurtime nga Financial Times

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”