Forcat e armatosura ukrainase dhe batalionet vullnetare, kanë punuar shumë për të mbrojtur vendin e tyre kundër agresionit rus. Gjatë vitit të parë të luftës, ukrainasit arritën të mbronin me sukses kryeqytetin e tyre. Ata i detyruan rusët të tërhiqeshin nga Ukraina Qendrore dhe Veriore.
Po ashtu, ukrainasit mbrojtën qytetet kryesore si Chernihiv dhe Sumy në veri, dhe Kharkiv në lindje. Ata mbrojtën Odesën në jug dhe e çliruan Kherson-in nga pushtimi rus. Më pas, gjatë vitit 2023, forcat ukrainase arritën të çlirojnë më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga Rusia.
Ato shkatërruan 2/3 e tankeve ruse të angazhuara në këtë luftë, ndërsa kanë bërë një përparim domethënës në Detin e Zi. Deri më sot, Ukraina ka shkatërruar 25 anije ushtarake ruse si dhe një nëndetëse, gjë kjo që përbën një të tretën e flotës ruse të Detit të Zi. Së fundmi ukrainasit kanë nisur operacionet për të penguar lëvizjet e ushtrisë ruse rreth Krimesë.
Por tani ky progresi është në rrezik. Sipas raporteve më të fundit, forcave ukrainase po u mbarojnë municionet. Në rast se ukrainasit nuk kanë pajisje të mjaftueshme për të mposhtur forcat ruse në fushën e betejës, atëherë Ukraina mund të rrezikojë të humbasë më shumë territor.
Këto javët e fundit ka pasur zhvillime jo pak shqetësuese. Për shembull, Avdiivka, një qytet që cilësohet si portë drejt Donetsk, u pushtua pak kohë më parë nga forcat ruse. Rënia e këtij qyteti ka ardhur pjesërisht nga ngadalësia e Perëndimit në furnizimin e mjaftueshëm të forcave ukrainasa.
Si u arrit në këtë pikë? Për disa muaj me radhë, Shtetet e Bashkuara, NATO, Bashkimi Evropian dhe disa vende dhe institucione të tjera e kanë vonuar dërgimin e armëve në Ukrainë. Marrim për shembull SHBA-në. Në tetor të vitit të kaluar 2023, në Kongres dhe Senat nisën diskutimet për të miratuar një paketë të re shtesë ndihme që do të dërgohej në Izrael, Ukrainë dhe Tajvan.
Për disa muaj, anëtarët republikanë dhe demokratë në të dy dhomat e parlamentit debatuan dhe e rishikuan disa herë draftin. Katër muaj më vonë, projektligji u miratua në Senat, në muajin shkurt, në një kohë që Kongresi nuk ka votuar ende për paketën e ndihmës së huaj.
Kjo ndihmë nuk mund të dërgohet nëse nuk miratohet nga të dyja dhomat e parlamentit.
Ngjashëm edhe Bashkimi Evropian e bllokoi paketën e tij të fundit të ndihmës. Në qershor të vitit 2023, Bashkimi Evropian propozoi një paketë të re ndihme për Ukrainën. Por mitatimi i saj u vonua pasi vendet anëtare kishin mosmarrëveshje për koston dhe ndikimin.
Paketa e ndihmës u miratua përfundimisht në shkurt të këtij viti, pra 8 muaj pas propozimit fillestar. Ndërsa Perëndimi është vonuar, Federata Ruse i ka rritur ndjeshëm aftësitë e saj. Moska ka blerë sasi të mëdha raketash, dronësh, armësh dhe municionesh nga Irani dhe Koreja e Veriut. Kjo i ka dhënë mundësi ta vazhdojë luftën e saj të padrejtë në Ukrainë.
Për më tepër, CNN raportoi se Rusia po prodhon “gati 3 herë më shumë municione artilerie sesa SHBA-ja dhe Evropa së bashku”. Kjo e dhënë sugjeron se Rusia po e fiton garën e municioneve.
Si është e mundur diçka e tillë? Deri më sot, Rusia është vendi më i sanksionuar në botë. Disa nga institucionet e saj kryesore financiare janë shkëputur nga sistemi ndërkombëtar i dërgesave financiare, SWIFT. Ekonomia e Rusisë është tkurrur. Mijëra kompani kanë pezulluar operacionet e tyre, ndërsa sanksionet ia kanë bërë më të vështirë Rusisë tregtinë nëpër botë.
Megjithatë Moska i ka kapërcyer këto pengesa duke bashkëpunuar me iranianët, koreano-veriorët dhe kinezët. Është e paimagjinueshme që NATO-ja dhe BE-ja të tejkalohen nga kundërshtarët e tyre. Atëherë, si mund ta trajtojë Perëndimi këtë problem? Si mundet që Ukraina të marrë sa më shpejt ndihmën që i duhet?
Së pari, NATO dhe Bashkimi Evropian duhet të zgjerojnë urgjentisht prodhimin në fushën e mbrojtjes. Krijimi i fabrikave të reja në këtë sektor do të nxiste rritjen e ekonomisë amerikane dhe asaj evropiane. Kjo do të çonte në shtimin e vendeve të punës, pasi do të punësoheshin mijëra qytetarë.
Një forcë e madhe punëtore do të sillte përshpejtimin në kohë të prodhimit të pajisjeve ushtarake. Dhe kjo do t’u jepte në kohën e duhur ukrainasve pajisjet që u nevojiten për luftën. Po ashtu do ta lejonte NATO-n dhe BE-në që të rimbushin rezervat e tyre të pakësuara. Sipas organizatës jofitimprurëse ukrainase “PR Army”, SHBA dhe BE i kanë nisur tashmë këto përpjekje.
Së dyti, NATO dhe BE duhet të inkurajojnë ndarjen e teknologjisë me aleatët. Lejimi i ndërveprimit midis vendeve, do të rriste aftësitë e tyre të komunikimit dhe trajnimit. Po ashtu ndërveprueshmëria zvogëlon dublimin e proceseve, mundëson bashkimin e burimeve dhe prodhon sinergji midis të gjithë aleatëve.
Shkëmbimi i informacionit, do të ndihmonte me siguri në adresimin e çdo lloj pengese në prodhimin ushtarak. Ai do t’i lejonte vendet perëndimore që të luanin me pikat e forta të njëri-tjetrit dhe, do të zvogëlonte barrën që lidhet me prodhimin e pajisjeve.
Së fundi, NATO dhe BE duhet të përshpejtojnë kohën e dërgimit të armëve të tyre në Ukrainë. Vonesat në prodhim, e kanë zgjatur afatin kohor në të cilin Ukraina merr në dorëzim pajisjet perëndimore. Por inovacioni në këtë sektor mund t’i shkurtojë këto afate kohore.
Për shembull, çekët po ripërtërijnë pajisjet dhe armët e vjetra, për t’ia ofruar më shpejt Ukrainës. Ndërkohë vendet perëndimore po blejnë pajisje që janë prodhuar tashmë nga vende jashtë Evropës, në mënyrë që të mund t’ua dërgojnë sa më parë ukrainasve.
Kjo ka reduktuar ndjeshëm vonesat në dërgimin e ndihmave në Ukrainë. Në përgjithësi, pengesat në dërgimin e armëve në Ukrainë, i dhanë mundësi rusëve që të rigrupohen dhe forcojnë pozicionet e tyre në Ukrainën Jugore dhe Lindore. Ndërkohë Rusia ia ka dalë të sabotojë efektet e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj saj duke blerë pajisje ushtarake nga Irani dhe Koreja e Veriut.
Tashmë është raportuar se Rusia po përgatitet për një ofensivë të re këtë verë. Rusët nuk duhen lejuar që të kenë sukses. Perëndimi duhet të modernizojë me shpejtësi bazën e tij industriale dhe të dërgojë sa më shpejt dhe me efikasitet armët e tij në Ukrainë.
Inovacioni do ta përmbushë këtë qëllim. Ndryshimet në politikën e blerjeve në fushën e mbrojtjes, do të forcojnë ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Perëndimit dhe do të rrisin sigurinë e tyre kombëtare. Ato do ta ndihmojë gjithashtu Ukrainën që ta fitojë luftën e saj ndaj Rusisë.