MENU
klinika

Rritje pagash dhe për uniformat blu në korrik

Ndryshimet që do të ndodhin me pensionin e të moshuarve

05.04.2024 - 16:52

Lajme të mira i pret pensionistët edhe efektivët e Policisë së Shtetit. Si fillim uniformat blu do te kenë një rritje page të madhe, ndryshe nga vitet e kaluara. Ndërsa, ekspertet kanë paralajmëruar rritje pensionesh. Për efektivët e policisë, njoftimin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ditën e djeshme Z.Balla njoftoi se prej 1 korrikut të këtij viti një rritje e madhe pagash i pret policët e uniformave blu, krahasuar me vitet e mëparshme. “Në 1 korrik ne do të kemi mundësinë të bëjmë një rritje të madhe krahasuar me ato të viteve të mëparshme të pagës së punonjësve të PSH sepse është e domosdoshme, është e papranueshme që të përballemi me nevojat që ka edhe pse dua ta pranoj që qeveria është si një familje po mundohet që të bëjë mirë edhe për mësuesit, të rris pagat edhe për infermierët edhe për forcat e ushtrisë në kushtet e një bote me një situatë tërësisht të re jo vetëm në Evropë por edhe në të gjithë botën dhe prandaj dua t’ju them ju se bashkëpunimi me SPAK në mënyrë të veçantë me prokuroritë e rretheve është një bashkëpunim i cili është themeli i këtij procesi vetëpastrimi”, u shpreh ministri Balla.

Ndryshimet që presin pensionistët
Përveç lajmit të mirë për efektivët e policisë, ndryshimet e presin edhe një tjetër sektor, atë të pensioneve, ku pensionistët do të përfitojnë rritje të pensioneve. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha shprehet se rritja e pagës minimale dhe ajo mesatare kanë ndikuar edhe në përmirësimin e skemës së pensioneve.“Nga 34 mijë lekë vajti 40 mijë lekë, kjo ka efektin e vet. Duke bërë këtë ndryshim page normal që kontributet do të shtohen. Kryesorja është në mbushjen e gropës o të shtohen të ardhurat ose të shkurtohen shpenzimet. Të cilat kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve”, shprehet Kujtim Hoxha, ekspert pensionesh. Shifrat e 5 viteve të fundit bëjnë të ditur se ky tregues po vjen drejt përmirësimit çka do të thotë se nga buxheti i shtetit do të dalin më pak lekë nga taksat për skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë. Ndjeshëm në këtë përmirësim kanë ndikuar edhe rritja e kontribuuesve me 25 mijë e 623 duke arritur numrit më të lartë në 5 vitet e fundit në 826 mijë e 928 individë. Por nga ana tjetër si pasojë e ritmeve të shpejta të plakjes së popullsisë, edhe numri i përfituesve në këtë skemë është rritur në 704 mijë e 999 individë, rreth 18 mijë më shumë se në 2022.“Kjo shifër pavarësisht është 1 të 100 e përmirësuar krahasuar me 2022 është shqetësuese. Dhe me konceptin që skema e sigurimeve shoqërore që me të ardhurat të paguaj shpenzimet është e rënduar.”

Pensionet në bankë
Nga ana tjetër ditën e djeshme është dhënë edhe një sqarim zyrtar se si pensionistët do të marrin pensionet e tyre në bankë. Lajmi i publikuar se nga data dy prill pensionet do të shpërndaheshin në bankë, si duket ka qenë i rremë sipas Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore.Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore thuhet se shpërndarja e pensioneve nuk do të ketë ndryshime, por kush nga ata pensionistë që tërheq pensionin në bankë, duhet t’ju ofrohet shërbime me tarifë zero. “Nga ana e sigurimeve shoqërore, shpërndarja e pensioneve nuk ndryshon, por për ata pensionistë që tërheqin pensione në bankë, bankat duhet të ofrojnë të gjitha shërbimet bazike të pagesave me tarifë zero, për kategoritë të cilët përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë”, thanë burimet zyrtare për Gazetasi.al. Gjithashtu, ndonëse prej vitesh tashmë pensionistët në Shqipëri kanë marrë pensionin e tyre pranë sporteleve të postës, tashmë me ndryshimet e reja, të moshuarit mund të zgjedhin të tërheqin pensionin në postë, në bankë ose t’ju dërgojë dikush me postë në banesë. Nga ligji për “Llogarinë e pagesave me shërbime bazike” përfitojnë personat që marrin pagesën e papunësisë, familjet dhe individët të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre, individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre, invalidët e punës, jetimët, përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate, përfituesit e pensionit social, përfituesit e pensionit të pleqërisë, përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale, përfituesit e pensionit familjar dhe përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.

Detajet
Ky ligj përfshin shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një llogarie pagesash, shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash, shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash brenda Shqipërisë në sportele ose në ATM gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave si edhe ekzekutimin e transaksioneve të pagesave brenda territorit të Shqipërisë, ku përfshihen debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte (përjashtuar transaksionet e pagesave me karta krediti), përfshirë pagesat online, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale, në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave online. Aktualisht në të gjithë vendin, janë 73.950 pensionistë që marrin pensionin përmes bankave dhe 666.300 e marrin në postë. Përfituesit e shërbimeve me zero komision në banka, janë 10 % e pensionistëve të cilët e tërheqin pensionin në bankë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN