MENU
klinika

Projektet nga Tiranë – Durrës te Ksamili

Qeveria ‘zgjidh thesin’, 120 mln euro për rrugët

05.04.2024 - 16:56

Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë javë procedurat për 10 kontrata rrugësh, ku një pjesë e mirë janë lote të të njëjtit projekt. Fondi limit total për këto procedura është 12.3 miliardë lekë, apo rreth 120 milionë euro.

Por cilat janë në fakt projektet për të cilat janë çelur procedurat të mërkurën dhe të enjten e kësaj jave?

E para është procedura që ka në objekt të saj “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 1” me një fond limit 754 milionë lekë. Ky projekt synon rehabilitimin e plotë të një prej rrugëve me gjendjen më problematike ndër vite dhe që do të shërbejë si rrugë alternative për Durrësin.


Tre procedura të tjera lidhen me projektin Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë që aktualisht është duke u punuar në lotet 1-4 teksa tashmë janë hapur procedurat për lotin 5 me një fond limit 2.49 miliardë lekë, loti 6 me fond limit 2.48 miliardë lekë, loti 7 me fond limit 2.47 miliardë lekë dhe loti 8 me 2.49 miliardë lekë.

Një tjetër projekt i rëndësishëm, për të cilin është folur edhe më herët, është zgjerimi i Tiranë-Durrës. ARRSH çeli tenderin për dy faza të kësaj rruge ku për procedurën Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Faza I) është vendosur një fond limit 1.66 miliardë lekë dhe po kaq edhe për fazën e dytë.

Një tjetër projekt është ai për rrugën Berat-Ballaban loti i parë me një fond limit 1.9 miliardë lekësh dhe loti i dytë me një fond limit 2.25 miliardë lekë që parashikohet të mbulojnë ndërtimin e kësaj rruge që është bërë shpesh objekt premtimesh politike.

Projekti i fundit shtrihet në Jug të vendit dhe lidhet me zgjerimin e rrugës së Ksamilit për të cilin është parashikuar një fond limit 1.66 miliard lekë.

Për të gjitha procedurat, mbyllja e afatit për dorëzimin e ofertave nga ana e operatorëve të interesuar është lënë data 8 maj 2024.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN