MENU
klinika

Çfarë ndodh me bizneset nga Kosova

Rritet numri i bizneseve nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

05.04.2024 - 17:46

Klima e biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, dy shtete të të njëjtit komb, shpesh nuk është miqësore, me luhatje dhe konflikte.

Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se 38 biznese me pronësi 100% nga Kosova mbyllën aktivitetin në vendin tonë në vitin 2022, në të kundërt u rrit numri i bizneseve nga vendet fqinjë si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në vitin 2022, numri i bizneseve me pronësi 100% nga Kosova arriti në 356 nga 394 që ishin në vitin 2021.

Në të njëjtën periudhë, bizneset me pronësi 100% nga Maqedonia e Veriut arritën në 105 në vitin 2022 nga 92 që ishin në 2021. Numri i bizneseve me 100% pronësi serbe arriti në 23 më 2022 nga 14 që ishin më 2021, gati me dyfishim.

Marrëdhëniet tregtare me vendet e Rajonit janë reflektuar edhe në tregti. Në vitin 2022, importet nga Serbia u rritën me 03% nga viti 2010, ndërsa eksportet shqiptare në Serbi ishin 9.4 miliardë lekë, me zgjerim 533% nga viti 2010.

Ndonëse investimet e huaja në vlerë kanë qenë në rritje vitet e fundit, numri i ndërmarrjeve me pronësi 100% të huaj ra më 2022. INSTAT raportoi se nga 5,250 biznese të huaja në vitin 2021, në 2022 kishte 4,934 biznese ose 6% më pak.

Ndërmarrjet nga Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut megjithatë kanë një peshë të ulët në shitje, në punësim dhe shitje në krahasim me totalin e ndërmarrjeve të huaja në vendin tonë.

Në vitin 2022 ndërmarrjet nga rajoni kontribuonin në 7.7% në totalin e punësimit nga ndërmarrjet e huaja dhe 8.8% të totalit të shitjeve. Bizneset nga Kosova kontribuuan në të njëjtin vit në 5,1% në totalin e punësimit nga ndërmarrjet e huaja dhe 5.9% të shitjeve.

Ndërmarrjet nga Kosova në vendin tonë operojnë më së shumti në sektorin e tregtisë, akomodimit dhe ndërtimit. Bizneset nga Maqedonia e Veriut janë të përqendruara më shumë në tregti, transport dhe ndërtim, ndërsa ndërmarrjet nga Serbia operojnë kryesisht në sektorin e akomodimit, ndërtim dhe tregti.

Në vitin 2022, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zunë mesatarisht 62,7% të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësuan 10,3% të këtyre ndërmarrjeve.

Vendet e BE-së përfaqësojnë pjesën më të madhe të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta. Në vitin 2022, këto vende kanë zënë 73,9% të punësimit gjithsej./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sanksionet amerikane kundër krimit të organizuar

Cilat janë 11 bizneset e grupit kriminal të Zvonko Veselinoviqit

Analiza e REL: Polemikat për monedhën serbe

Kush do ta monitorojë zbatimin e rregullores që ndalon dinarin?