Milicitë ruse që luftojnë për Ukrainën janë kthyer në qendër të vëmendjes pasi kanë nisur sulmet kundër rajonit rus të Belgorodit.
Kievi i konsideron milicitë si aleatë kundër Vladimir Putinit, por roli i grupeve me bazë në Ukrainë, të përbërë nga luftëtarë vullnetarë rusë, ka rezultuar i diskutueshëm.
“Ne jemi njerëzit e këqij, por ne luftojmë ata që janë vërtet të këqij,” i tha njëri prej tyre medias prestigjoze “Politico”.
Ky është në thelb një “projekt i përkëdhelur i Kyrylo Budanov, kreut të HUR, agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, i cili thotë se të kesh “luftëtarë të mirë” në anën e Kievit është mirë, sepse armiku i armikut të tyre është miku i tyre.
Zëdhënësi i HUR, Andriy Yusov tha për faqen e lajmeve se Ukraina “duhet të ndihmojë gjithashtu ata rusë që po luftojnë kundër regjimit të Putinit për të çliruar Rusinë”.
Rasti më i mirë dhe shembulli perfekt për këtë është Denis Kapustin, i akuzuar si neo-nazist, por që e përshkruan veten si nacionalist rus dhe thotë se po lufton për Ukrainën sepse nacionalistët rusë duhet të jenë kundër Vladimir Putinit.
Trupat vullnetare ruse janë një “pjesë zyrtare” e ushtrisë ukrainase, tha ai, “por ne kemi ambicie politike serioze dhe agjendë politike”.
Dhe kjo axhendë sipas tij është “marshimi drejt Moskës dhe shpërbërja e regjimit të Putinit”, i cili është “qartësisht në interes të Ukrainës”.
Megjithatë, roli i tij në luftë është një “thikë me dy presa për Kievin”, shkruan “Politico”.
Moska është e prirur të “zbardhë” pushtimin e Ukrainës si një përpjekje për “de-nazifikimin” e Kievit dhe media shtetërore ruse “kënaqet” duke treguar origjinën e Denis Kapustin si një huligan futbolli i ekstremit të djathtë.