MENU
klinika

Forbes publikon listën

Kush janë personat më të pasur në botë për 2024?

06.04.2024 - 10:19

Aktualisht bota ka 2781 miliarderë, 141 më shumë se vitin e kaluar. Pasuria e tyre kap vlerën e 14.2 trilionë dollarë në total, me 2 trilionë  dollarë  më  tepër se viti 2023 dhe 1.1 trilionë  dollarë më lart se rekordi i vendosur në 2021. Këto të dhëna janë publikuar nga Revista Forbes, e cila përdor çmimet e aksioneve dhe kurset e këmbimit për të  llogaritur vlerën neto të të ardhurave të tyre.

Ndër vendet me numrin më të madh të miliarderëve janë SHBA, me një rekord prej 813 miliarderësh, e ndjekur nga Kina në vend të dytë me 473 dhe India me 200 miliarderë, renditet e treta.

Personi më i pasur për këtë vit është francezi Bernard Arnault me familjen e tij, të  cilët zotërojnë perandorinë LVMH prej 233 miliardë dollarësh të 75 markave të modës dhe kozmetikës, duke përfshirë Louis Vuitton, Christian Dior dhe Sephora. Në 2021, LVMH bleu kompaninë  amerikane të  bizhuterive Tiffany & Co për 15.8 miliardë dollarë, që besohet të jetë blerja më e madhe e një marke luksoze ndonjëherë.

Elon Musk që ishte në krye të listës vitin e shkuar, këtë vit gjendet në vendin e dytë me një pasuri prej 195miliardë dollarësh. Elon Musk është bashkëthemelues i gjashtë kompanive, ku ndër tre më të rëndësishmet janë Tesla për prodhimin e makinave elektrike, SpaceX për prodhimin e raketave dhe BoringCompany për investime infrastrukturore. Musk bleu Twitter për 44 miliardë dollarë dhe zotëron rreth 74% të kompanisë, që tani quhet X.

Në vendin e tretë është Jeff Bezos me një  miliard  më  pak se Elon Musk, i cili zotëron kompaninë Amazon, kompaninë hapësinore Blue Origin dhe gazetën Washington Post. Lista vijon me Mark Zuckerberg (themelues i Facebook), Larry Elision (themelues i Oracle) dhe Warren Buffett (themelues i kompanisë Berkshire Hathaway).

Ledina Elezi/SCAN