MENU
klinika

Analiza nga VOA

Joe Biden dhe Donald Trump, qëndrime të kundërta!

07.04.2024 - 09:01

Emigracioni i paligjshëm është çështja kryesore për shumë votues në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Rreth mënyrave të ndryshme se si kanë premtuar kandidatët Donald Trump dhe Joe Biden për të vepruar për këtë çështje.

Në zgjedhjet paraprake këtë javë në Viskonsin, emigracioni i paligjshëm ishte një çështje kryesore për votuesit.

“Emigracioni, inflacioni, e drejta për jetën. Do të thoja se këto janë tre çështjet madhore për mua”, thotë Scott Lindemann, votues në Viskonsin.

Lindemann ka votuar në zgjedhjet e mëparshme për kandidatin republikan Donald Trump dhe thotë se do të votojë për të sërish.

Ish-presidenti Trump tha gjatë një tubimi në Viskonsin se po përgatit “deportimin më të madh në historinë amerikane”, për të larguar nga vendi ata që ai i quan njerëz të rrezikshëm.

“Po dërgojnë të burgosurit, vrasësit, shpërndarësit e drogës, të sëmurët mendorë, terroristët. Më e keqja e çdo vendi po vjen në vendin tonë tashmë. Po vijnë nga Kongoja, Jemeni, Somalia, Siria dhe mbarë bota. Ata vijnë, transformojnë vendin tonë, rrezikojnë vendin tonë dhe e rrënojnë atë; ata po e shkatërrojnë vendin tonë”, tha Trump.

Një anketim i bërë rishtazi tregoi se emigracioni është çështja kryesore për votuesit amerikanë. Një e treta e personave të pyetur e konsiderojnë këtë çështje më të rëndësishme se ekonomia, gjendja e kriminalitetit dhe kujdesi shëndetësor.

Presidenti Joe Biden thotë se emigrantët kontribuojnë për ekonominë amerikane dhe nuk janë “kafshë” të rrezikshme, siç i quan kundërshtari i tij politik.

“Që nga dita e parë në detyrë si president, paraqita një plan gjithëpërfshirës për të ndrequr sistemin tonë të emigracionit, për të siguruar kufirin, për të mundësuar shtetësinë për personat e ardhur të mitur në SHBA dhe familjarët e tyre, për punëtorët e fermave, për punonjësit e shërbimeve thelbësore që na ndihmuan gjatë pandemisë dhe që janë pjesë e komunitetit tonë. Pasi në dallim nga Donald Trump-i, unë e di se cilët jemi ne, si amerikanë”, tha presidenti Biden.

Mbështetësit e zotit Trump kujtojnë premtimin e tij në vitin 2016 për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën. Nëse rizgjidhet, ai thotë se do ta përmbushë këtë premtim.

“Me votën tuaj, unë do ta siguroj kufirin. Do ta ndal sulmin, do t’i jap fund masakrës, gjakderdhjes dhe vrasjeve, dhe do t’i shkatërrojmë trafikantët e qenieve njerëzore”, tha ish-presidenti Trump.

Gjykata e apelit vendosi javën e kaluar t’ia ndalojë Teksasit zbatimin e një ligji që do ta konsideronte vepër penale hyrjen e paautorizuar në këtë shtet dhe do t’u lejonte gjykatësve të Teksasit të urdhëronin deportimin e personave të arrestuar.

Presidenti Biden tha gjatë një takimi me kryebashkiakët amerikanë se është paraqitur një plan dypartiak në Kongres për të përmirësuar sigurinë kufitare, për të shtuar numrin e gjykatësve për çështjet e emigracionit dhe të zyrtarëve që shqyrtojnë kërkesat për azil, si dhe të pajisjeve të teknologjisë së lartë për të pikasur drogat.

“Ky projektligj do të shpëtonte jetë. Do të vendoste rendin në kufi. Parashikon edhe fondet që u nevojiten së tepërmi shumë prej qyteteve tona. Do të më jepte edhe mua si president, autoritet të shtuar emergjence, apo çdo presidenti tjetër, për ta mbyllur përkohësisht kufirin kur numri i emigrantëve del jashtë kontrollit, për të rifituar kontrollin e kufirit”, tha presidenti Biden.

Ligjvënësit republikanë e kundërshtuan projektligjin dypartiak, pjesërisht për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga ish-presidenti Trump. Projektligji nuk u miratua as në Senat./voa