MENU
klinika

Propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore

Bylykbashi: Të rikthehen koalicionet parazgjedhore, lista të përbëra

07.04.2024 - 17:44

Demokratët i kanë gati propozimet që do paraqesin në tryezën e grupit të dialogut për Reformën Zgjedhore. Oerd Bylykbashi në një intervistë për Televizionin Klan thotë se prioritet i kësaj pakete që do i paraqitet për diskutim edhe grupit parlamentar demokrat janë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe marrëveshja e 5 Qershorit të vitit 2020.

Oerd Bylykbashi: Janë një bazament shumë i fortë për të shtuar rregulla që pengojnë PS-në që të grabisë zgjedhje.

Koalicionet parazgjedhore dhe rikthimi tek praktika ligjore e viteve 2003-2008 kur në Kodin Zgjedhor ekzistonin të dyja format e koalicionit, ajo me listë të përbërë dhe të përbashkët është një prej propozimeve të demokratëve.

Oerd Bylykbashi: Ne do të ngulim këmbë që kjo të kthehet sepse duhet të jetë e drejtë e shqiptarëve që të zgjedhin cilën parti duan ata, jot ë detyrojë Edi Rama partitë që të futen të gjitha në një listë të vetme. Secila duhet të ketë të drejtën të marrë votën individuale në fletën e votimit. Të ketë listën e saj dhe të ketë deputetët e saj të zgjedhur në kuadër të një koalicioni. Nuk ka asnjë pengesë, ekziston precedent legjislativ shqiptar që për 5 vite kanë bashkëjetuar të dyja format.

Sfidë e radhës mbetet edhe barazia e votës.

Oerd Bylykbashi: Është një raport skandaloz dhe ka arritur në nivelin e dhunimit të barazisë së votës.

Votimi i detyrueshëm është një tjetër propozim.

Oerd Bylykbashi: Paguhen para, ushtrohet presion që zgjedhësit të qëndrojnë në shtëpi. Ne do të bëjmë proppzimin për votën e detyrueshme.

Vota e emigrantëve është një detyrim kushtetues që demokratët thonë se duhet përmbushur.

Oerd Bylykbashi: Duhet thjeshtuar sistemi i votimit të personave që banojnë jashtë Shqipërisë.

Sa për listat e hapura, duket se ato nuk janë prioritet, pasi Bylykbashi thotë se Shqipëria hyn në 40 shtetet që kanë të njëjtin version të ngjashëm me tonin.

Në tryezën e grupit të dialogut, grupimi Berisha-Bardhi do vijë edhe me një tjetër propozim që parashikon që krimet zgjedhore të konsiderohen si krime të rënda.

Oerd Bylykbashi: Të krijohen precedentë, ku njerëzit t’i thërrasin mendjes që do të hyjnë në bela që për të bërë zellin e patronazhistit, do të dëmtojnë votën e qytetarëve.

Sipas Bylykbashit, të cilit i është dashur të bashkëkryesojë jo pak tryeza reformash elektorale dhe atë të Këshillit Politik, grupi i dialogut i ngritur në Kuvend për Reformën Zgjedhore kërkon shumë vullnet politik, pasi nuk funksionon me rregulla të qarta sikundër komisionet parlamentare, apo ai për Reformën Elektorale.

Oerd Bylykbashi: Që në momentin kur PS do të ecë me idenë që “për çfarë po biem dakord, ne do shkojmë në seancë plenare dhe do të kërkojmë atje votat” dhe nëse nuk gjendet kompromis, e lëmë Kodin Zgjedhor ashtu siç është. Këto tregojnë qartë kush është vullneti, pra nuk duan të ecin drejt një Reforme Zgjedhore.