MENU
klinika

Nga indeksimi, deri te formula e pensionit të parakohshëm

Çfarë po ndodh me pensionet e ushtarakëve

09.04.2024 - 11:21

Ish-kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri ka folur për ligjin që ishte në fuqi nga viti 1999 deri në vitin 2009 për ushtarakët, ku parashikonte një formulë përllogaritje që nxirrte pension të parakohshëm të lartë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Konduri foli gjithashtu për vendimin e Zaganjorit, i cili është mbyllur që prej vitit 2017, ku të gjitha proceset gjyqësore u ndaluan. Ai thotë se situata e ‘luftës’ së ish-ushtarakëve me përfitimin e pensionit suplementar ka kaluar 7-8 vite dhe sipas tij nga vendimi i Zaganjorit ku u mbyllen proceset gjyqësore janë prekur 800-1000 ish-ushtarakë. Nga ana tjetër, Thoma Konduri thotë se ushtarakët po përballen sot me problematika të shumta, duke nisur që nga trajtimet mjekësore dhe deri te “grabitja” e qendrave të tyre të pushimit.

-Zoti Konduri, Ligji që ishte në fuqi nga viti 1999 deri në 2009 për ushtarakët parashikonte një formulë përllogaritjeje që nxirrte pension të parakohshëm të lartë. Sipas kësaj formule, ka pasur ushtarakë që kanë marrë pension të parakohshëm më shumë se sa rroga e tyre. Sigurimet shoqërore pranojnë të njëjtën formulë përllogaritjeje, por duke i vënë një tavan. Pra, që pensioni i parakohshëm i ushtarakëve të mos kalojë pensionin më të lartë të pleqërisë. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese i dhanë të drejtë sigurimeve shoqërore. Ata që kanë marrë pensione përtej pensionit maksimal të pleqërisë, diferencën duhet ta kthejnë mbrapsht. Çfarë po ndodhe me këtë çështje?

Çështja është mbyllur pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Lartë, vendimi i Zaganjorit. Procesi gjyqësor nuk mund të rihapet pasi është mbyllur. Ushtarakët marrin një pension të kufizuar, jo më të lartë se pensioni bazë. Është një mashtrim. Ushtarakët e liruar në pension kanë përfituar pension të parakohshëm më të lartë se rroga e tyre. Vetëm 2% për çdo vit, plus mbi 50% e pagës. 2% më shumë se 15 vite pune, nëse ke 15 vite pune merr, 50% të rrogës dhe çdo vit tjetër mbi 15 vjet pune merr 2%. Çdo vit i shtohet pagës 2%. 15 vite rrogë, 50% e pagës, pas dy vitesh 52% e rrogës, pas katër vitesh, 54 % e rrogës. Në vitin 2016 çështja është mbyllur dhe ish-kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe Gjykata e Lartë ka marrë vendimin duke vënë kufizime, ku mund të merret pensioni 2% por të mos kalojë më shumë se dy pensione bazë. Vendimi i Zaganjorit penalizoi të gjithë ushtarakët por Gjykata Kushtetuese mbylli çështjen. Vendimi i Zaganjorit detyronte te gjithë ushtarakët që kishin bërë gjyqe të kthenin diferencën e parave mbrapsht. Një ‘luftë’ e jona që detyroi në vitin 2017-18, ku doli një ligj i Parlamentit që ndalonte proceset gjyqësore. Kush ushtarak kishte dorëzuar diferencën, ndërsa ato që ishin në proces të ndërpritej dhe ato që se kishin filluar iu falën diferenca.

-Për çfarë shifrash bëhet fjalë?

Të gjithë ushtarakët, nga 1 Janari 2015 e në vijim. Pensionet sot shkojnë gati 40% më shumë. Të gjitha ushtarakët që kanë dalë në pension pas datës së 1 janarit 2015 marrin pension më të lartë, ndërsa ushtarakët që kanë dalë në pension para datës 1 janar 2015, vijojnë të mbeten pensionet vendnumëro. Diferenca për ushtarakët ndonëse në kushte të barabarta ndryshon deri në 15000 lekë, qoftë dhe me vetëm një ditë ka ndryshimi. Indeksimi bëhet njësoj si një ushtarak që ka dalë në pension para datës 1 Janar 2015 dhe më një tjetër ushtarak pas kësaj date. Ky problem është diskutuar dhe qeveria është në dijeni të diferencës por nuk është rregulluar ende.

-Sipas jush, sa është numri i ushtarakëve të liruar në pension që preken nga ky vendim?

Situata e ‘luftës’ së ish-ushtarakëve me përfitimin e pensionit suplementar ka kaluar 7-8 vite. Nga vendimi i Zaganjorit ku u mbyllen proceset gjyqësore janë prekur 800-1000 ish-ushtarakë.

-Cilat janë kategoritë e ish-ushtarakëve që penalizohen?

Të gjithë ushtarakët që kanë fituar të drejtën me gjyq janë penalizuar, por jo të gjithë kanë kthyer shumën pasi disa ishin në proces dhe disa nuk kishin nisur fare procesin. Në varësi të proceseve gjyqësore që bëheshin janë penalizuar.

-Kush janë disa nga problematikat që përballen sot ushtarakët dhe ish-ushtarakët në Shqipëri?

Ish-ushtarakët dhe ushtarakët sot përballen me probleme nga më të ndryshme si ajo e njohjes së statusit të ushtarakut. Jepen 18 të drejta nga njohja e statusit të ushtarakut, si për shembull: -E drejta për t’u kuruar dhe vizituar falas pasi nuk ka spitale ushtarake, ndonëse ka një vendim në ministrinë e Shëndetësisë.

-E drejta për pushime në shtëpitë e pushimit të plazhit.

-E drejta për qendra kulturore të ushtrisë.

-Nuk janë të pajisur me karta identiteti të ushtarakut, identifikohet si ushtarak ku përfiton lehtësira si e drejta e qarkullimit, e drejta e pushimit, e hyrjes dhe daljes në institucione, tregtimit, lehtësira në trajtimin ushqimor duke iu ofruar mensa. Qeveria nuk i pajis ushtarakët me këtë kartë ID pasi i tremben këtyre detyrimeve.

-Keni një mesazh për qeverinë?

Sot ushtarakëve iu mohohet të shkojnë në dy qendra pushimi në Kavaleshenca dhe në Pogradec (pa ushqim, vetëm hotel) edhe në Jalë, por sot është kthyer çifligu i politikës shqiptare duke iu mohuar hyrja veçanërisht gjatë muajve Korrik-Gusht asnjë ushtarak i liruar në rezervë. Mesazhi që i jap qeverisë të kthejë kokën nga ushtarakët pasi rreziku në Ballkan sa vjen dhe rritet. Ushtarakët janë njerëz me shumë vlera në këto kohë luftërash. Të kthehet një ushtri funksionale, jo ushtri me reparte të zgjedhura pasi nuk mund të mbrohet atdheu. Duke parë situatat e tensionuara në Ballkan, sa e aftë është ushtria në përballimin e rrezikut? Ushtria shqiptare sot është shumë e paaftë të përballojë çdo lloj agresioni të jashtëm ndaj vendit tonë. Nuk ka asnjë strukturë të mirëfilltë të forcave të armatosura, të artilerisë me të gjitha armët e shërbimit që mund të ketë reparti ushtarak. Ka mbizotëruar fryma pacifiste prej kohësh duke dëmtuar shumë edhe lokacionin e ushtrisë. Ushtria sot nuk ka një strukturë të luftimit, pasi nuk ka forca këmbësorie, nuk ka artileri, tanke nuk ka asnjë. Duke shfrytëzuar nenin Nr. 3 dhe 5 të Aleancës, që flet për mbrojtjen kolektive, qeveria shqiptare fle gjumë nën shpresën se duke qenë në NATO do na mbrojnë forcat e shteteve të tjera. /Xhoana Vraniçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN