e Apelit ka lënë në burg Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, të cilët akuzohen se janë autorë të vrasjes së ish-policit të burgjeve, Gentjan Bejtjas, në Larushk, më 15 mars.
Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, dhe Edison Haxhiu, të cilët u arrestuan më 20 mars janë dy të dyshuarit si autorë të vrasjes brenda banesës.
Më datë 15.03.2024, rreth orës 16:25, është marrë njoftim nga salla e Komisariatit të Policisë Krujë, se persona të pa identifikuar kanë vrarë me armë zjarri shtetasin G. B, në ambientet e oborrit të banesës së tij, në fshatin Larushk, Fushë Krujë.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale I. B alias B alias M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuar nga neni 278/4 dhe 189 i Kodit Penal, si dhe ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale E. H, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 764 Akti, datë 21.03.2024, ka vendosur:
1. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë ndaj personit nën hetim I. B alias B alias M.
2. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim I. B alias B alias M, atë të “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
3. Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë ndaj personit nën hetim E. H.
4. Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim E. H, atë të “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra:
– Nga personi nën hetim me iniciale E. H, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e një masë sigurimi më të butë si ajo e “arrestit në shtëpi” në alternativë “arrest në burg” me afat 2 mujor.
– Nga personi nën hetim me iniciale I. B alias B alias M, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, , caktimin e një masë sigurimi më të butë si ajo e “arrestit në shtëpi “ose “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Sokol Pina, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr.764, datë 21.03.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë” thuhet në njoftim.
Policia ka arritur që të zbardhë lëvizjen e autorëve pas momentit që kanë djegur makinën e krimit. Ilir Beqaraj dyshohet se është një nga autorët që ka marrë pjesë në ekzekutim, ndërsa Edison Haxhiu akuzohet se u ka vënë në përdorim autorëve mjetin tip ‘Golf’ për t’u larguar nga Fushë Kruja.
Sipas dinamikës së ngjarjes, autorët janë afruar në banesën e Bejtjas dhe e kanë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi. Menjëherë pas vrasjes, ata janë larguar me mjetin tip ‘Land Rover’ drejt aksit Larushk – Thumanë dhe e kanë djegur makinën në fshatin Hasan.
Më pas ata dyshohet se janë larguar në drejtim të fshatit Bubq në Krujë me mjetin tip ‘Golf’, pronari i të cilit, Edison Haxhiu, u arrestua nga policia.
Zbërthimi i lëvizjes së autorëve është identifikuar nga kamerat e sigurisë. Paraprakisht dyshohet se në këtë atentat kanë marrë pjesë katër persona, pasi edhe në brendësi të automjetit që u gjet i djegur, u konstatuan katër armë zjarri.
Referuar burimeve hetimore, ka dyshime se Ilir Beqaraj mund të jetë paguar për vrasjen e Gentian Bejtjas. Po ashtu ka dyshime se Beqarja është i implikuar në trafik të lëndëve narkotike.