Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka folur për vijimin e masës së “arrestit shtëpiak” ndaj Berishës duke thënë se është i qëllimshëm. Gjokutaj u shpreh se procesi ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës.
Sipas tij të gjithë skenarët janë në funksion të qëllimit të djegies së mandatit të Sali Berishës, si edhe largimin e tij përfundimtar nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme.
“Ne duhet të shpjegojmë se çfarë ndodh. Procesi i goditjes ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Por që të realizohet ky skenar me drejtësinë nuk bëhet me një SPAK objektiv dhe një GJKKO të pavarur. Njerëzit janë zgjedhur me dorë. Vendimi i sotëm ishte i pritshëm për ne. Synohet djegia e mandatit të Berishës. Berishën e kanë kërkuar në komisionin për TIMS dhe menjëherë e tërhoqën po me urdhër politik. Për më tepër fabula e çështjes nuk është artikuluar nga prokurorët, kush korruptoi kë. Çdo ngjarje ka mekanizmin si është vepruar. Në fund fare pastaj, pa kryer asnjë veprim hetimor kërkojnë edhe zgjatje afati. Zgjatja bëhet kur ke konsumuar çdo afat dhe nuk ke kryer veprimet e domosdoshme. Këta kanë kërkuar zgjatje pa kryer veprime. Gjithë këto skenarë të çojnë në një pikë, djegia e mandatit të Berishës dhe largimi i tij nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme”, tha ai në News 24.