MENU
klinika

Ku u fal namazi në Elbasan, Korçë, Berat e Fier

Fitër Bajrami festohet në sheshet e Shqipërisë

10.04.2024 - 09:16

Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të mërkurë, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fitër Bajramin.

Atmosfera ka qenë festive ngado, e në çdo shesh, pas lutjeve e faljes, kanë nisur edhe urimet.

DURRES
Pas një muaji agjërim, lutje, adhurime, besimtarët myslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin. Dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në qytetin e Durrësit.

Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:20 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë. Të gjithë besimtarët, së bashku me familjet mblidhen në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës.

 

 

MIJËRA BESIMTARË FALIN FITËR BAJRAMIN NË ELBASAN
Atmosfera festive e Fitër Bajramit ka mbizotëruar ngado në çdo shesh dhe xhami të qyteteve e fshatrave të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Në sheshin “Gensher”, para kalasë historike të qytetit të Elbasanit rreth 5 mijë besimtarë mes të cilëve edhe shumë femra kanë marrë pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit ose Bajramit të Madh. Myftiu i Elbasanit, Agim Duka gjatë ligjëratës së tij i ftoi besimtarët myslimanë dhe njerëzit vullnet mirë që të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare e sa më të shëndoshë. Është koha bëri thirrje Myftiu i Elbasanit që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë së bashku për t’ju larguar veseve, për t’ju larguar bixhozit, për t’ju larguar alkoolit e korrupsionit e çdo vesi të keq të shoqërisë dhe të shtojmë sa më tepër dashurinë mes njëri tjetrit.

FALJA E NAMAZIT NË KORÇË
Pas muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët myslimanë në Korçë mëngjesin e kësaj të mërkure u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fitër Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 06:30 minuta në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori. Riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët gjithashtu edhe besimtarët uruan njëri-tjetrin për sa më shumë mbarësi, begati në familjet e tyre.

BESIMTARËT MYSLIMANË BERATAS FALIN FITER BAJRAMIN NË PEDONALEN E QYTETIT, MESAZHE URIMI DHE PAQEJE
Besimtarët myslimanë beratas kanë falur sot Fiter Bajramin në Pedonalen e qytetit. Pas një muaji sakrifice nëpërmjet agjërimit, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur paraditen e sotme në Pedonalen e qytetit, ku edhe kanë kryer ritet e faljes. Pedonalia e qytetit është mbushur plot me besimtarë myslimanë, të cilët janë falur për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre. Falja e madhe është ndjekur edhe nga dhjetëra qytetarë beratas që nuk i përkasin këtij besimi fetar. Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu Bilbil Talla, i cili është falur për më shumë paqe, mirësi dhe begati në familjet beratase dhe në gjithë vendin. Myftiu ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga zoti me më shumë begati e shëndet. Falja e Fiter Bajramit vijon më pas në çdo familje beratase me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30-ditëve të Ramazanit.

BESIMTARËT MYSLIMANË NË FIER FALIN NAMAZIN NË QENDËR TË QYTETIT
Edhe besimtarët myslimanë fierakë kanë festuar Fitër Bajramin. Falja e namazit është bërë në sheshin qendror të qytetit i mbushur nga qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme, ndërsa krerët e Myftinisë së Fierit kanë përcjellë mesazhet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Fiter Bajrami i fal në orën 6:55, ndërsa ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli i cili përcolli mesazhin për me shumë paqe, mirësi, respekt e dashuri ndaj njëri – tjetrit dhe veçanërisht më tepër besim , duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe që ka krijuar Zoti. Urimet solidarizuese ishin kryefjalë edhe e gjithë besimtarëve në këtë ditë feste, ndër më të rëndësishmet në kalendarin e fesë islame.

FESTIMET NE KRUJE DHE FUSHE-KRUJE
Pasi kane përmbyllur 30 dite agjërim të muajit të ramazanit, besimtaret mysliman në Krujë dhe Fushë-Krujë kanë festuar festen e Fiter Bajramit. Falja e namazit është kryer në orët e para të mëngjesit në dy stadiumet e qytetit. Faljen e namazit në Fushë-Krujë e drejtoi hoxhë Muharrem Vrana, i cili u foli besimtarëve duke përcjellë mirësinë e bajramit dhe të mirat e këtij muaji sakrifice te ramazanit.

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin