MENU
klinika

Individët depozituan 698 mld lekë në 2023

Sa shqiptarë përfituan nga skema e sigurimit të depozitave?

10.04.2024 - 09:18

Depozitat e sigurueshme të individëve në fund të vitit 2023 arritën në vlerën e 1,2 trilionë lekëve dhe përbëjnë 80% të totalit të depozitave të sigurueshme. Në raportin vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) theksohet se peshën më të madhe e zënë depozitat në lekë me 48%, ndjekur nga depozitat në euro me 46%.

Nëse analizojmë ecurinë vjetore të depozitave të siguruara të individëve vëmë re se trendi ka qenë përgjithësisht pozitiv dhe rritja më e madhe e tyre u shënua në muajin dhjetor me 3.1%.

‘’Scan intel’’ ka analizuar shifrat për të kuptuar  ecurinë vjetore të depozitave të sigurueshme të individëve të shprehur në monedhë të huaj dhe atë vendase. Sipas të dhënave rritja vjetore e depozitave totale të siguruara ishte 4%. Në këtë rritje kanë kontribuar depozitat në lek dhe euro ku këto të fundit janë rritur me 4.2% ose 22.8 mld lekë ndërsa depozitat në lekë janë rritur me 14.6%.

Pavarësisht se ndryshimet vjetore të depozitave si në lekë dhe në euro janë paraqitur me rritje, depozitat  e  individëve në euro kanë qenë më të qëndrueshme krahasuar me depozitat në lekë për shkak të  ecurisë së kursit të këmbimit të lekut kundrejt euros.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) është një institucion publik që mbulon pjesën e sigurimit të depozitave në sistemin financiar në vend. Ky institucion merr përsipër të mbulojë sigurimin e depozitave deri në nivelin e 2.5 mln lekëve. Por sa është vlera e  depozitave të  shqiptarëve?

Sipas të dhënave të publikuara për vitin 2023, rezulton se krahasuar me fundin e vitit 2022, depozitat me shuma deri në 2.5 mln lekë janë rritur me 6%, kurse depozitat me shuma mbi nivelin e mbulimit janë rritur me 17.8 mld lekë ose 2.6%.

Pra nga depozitat totale që mbulohen nga agjencia e sigurimit sipas kriterit të lartpërmendur, 42% e tyre janë në vlerën 2.5 mln lekë ndërsa 58% e tyre tejkalojnë nivelin e mbulimit nga agjencia e sigurimit. Depozitat e individëve me vlerë mbi 2.5 mln lekë arritën vlerën 698.6 mld lekë.