MENU
klinika

Është e palicencuar

AMF paralajmëron: Mos investoni në këtë platformë

31.12.2018 - 10:02

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron investitorët për rrezikun ndaj shërbimeve të shoqërisë që operon me emrin Fortrade, nëpërmjet adresës së internetit www.fortrade.com. Kjo shoqëri, që ofron për tregun shqiptar instrumente financiare, nuk është e licencuar nga Autoriteti për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, Autoriteti i bën thirrje investitorëve të bëjnë shumë kujdes përpara se të marrin një vendim në lidhje me pranimin e një oferte të kryer nëpërmjet telefonatave ose mjeteve të tjera të komunikimit për t’i nxitur ata të regjistrohen në platformën online të shoqërisë Fortrade.

Çdo komunikim nëpërmjet telefonit, email-it, apo mjeteve të tjera, që përfaqëson një ftesë ose marketing për të investuar në platformën online me emrin Fortrade, është i jashtëligjshëm.

Mbështetur në Ligjin “Për Titujt” dhe vendimin e AMF “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, një shoqëri brokerimi e huaj lejohet të ofrojë shërbimet e saj në vendin tonë, përmes një agjenti të themeluar si shoqëri brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pas miratimit nga AMF.

Publiku paralajmërohet se Autoriteti nuk monitoron ligjshmërinë e aktivitetit të shoqërisë Fortrade dhe nuk mund të mbrojë interesat e të gjithë atyre që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara. AMF bën gjithashtu të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e shoqërive të palicencuara.