Ndotja alarmante e kolektorit të Levanit ka ngritur paraditen e kësaj të enjte në protestë dhjetëra fermerë të Povelcës e Derëzezës.
Ata thonë se shkak i ndotjes janë stallat e kafshëve që ndodhen pranë dhe që shkarkojnë të gjitha mbetjet organike në ujërat e kolektorit.
Sipas banorëve kjo situatë që vijon prej më shumë se 20 vitesh është kthyer në shqetësimin më madhor të tyre pasi bagëtitë po u sëmuren ndërkohë që me dhjetëra hektarë tokë me perime e shalqi po thahet edhe për shkak se në kolektor derdhet dhe ujë i kripur.
Banorët shprehen gjithashtu se shqetësues mbetet edhe fakti se uji i ndotur që ndodhet në këtë kolektor, tërhiqet nga hidrovori i Derëzezës dhe derdhet në det duke ndotur edhe bregdetin i cili për pak ditë do të presë plazhistët e parë dhe turistë të shumtë.
Në prag të sezonit turistik kjo ndotje do të sjellë edhe largimin e pushuesve kanë thënë ndër të tjera fermerët teksa apelojnë njëzëri që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt.