MENU
klinika

Turizmi dhe rënia e euros

Brunilda Isaj: Pak gjasa që monedha evropiane të rritet!

13.04.2024 - 09:21

Ekspertja për Çështjet Financiare, Brunilda Isaj gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në “ABC News” foli për rënien e euros por edhe për turizmin në vend.

Ajo shpjegoi se kursi i euros ndryshon në varësi edhe të prurjeve nga turizmi. Gjithashtu ajo shtoi se turizmi ka një rëndësi madhore dhe se sfidë sigurisht është transformimi në një turizëm elitar, duke theksuar se duhet të ketë një rritje të ndërgjegjësimit kombëtar, për t’i shërbyer këtij sektori.

“Kursi i euros, në varësi edhe të prurjeve nga turizmi. Do të jetë një lajm pozitiv që turizmi të ecë me ritme pozitive pasi do të ketë një ndikim në ekonomi. Kemi rritur pritshmëritë në nivel global. Sfidat janë për t’u transformuar në një turizëm elitar dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm që të përmirësojmë standardet. Pra duhet edhe një rritje e ndërgjegjësimit kombëtar për t’i shërbyer turizmit. Megjithatë duhet të jemi në gjendje t’i shërbejmë të gjitha shtresave të turizmit”, tha Isaj.

Drejtori i shoqatës së zyrave të këmbimit valutor Dritan Vakaj, u shpreh se roli i Bankës së Shqipërisë, mbetet shumë i rëndësishëm. Ai gjithashtu shtoi se euro mund të arrijë edhe në nivelin e 100 lekëve.

“Roli i Bankës së Shqipërisë është i rëndësishëm me ndërhyrje qoftë me tërheqjen e monedhës nga tregu. Përpjekjet janë maksimale për të krijuar një mjedis që tregu të reagojë sipas kërkesës dhe ofertës. Tregu pret një mjedis të sigurt të monitoruar dhe të gatshëm për të ndërhyrë kur është nevoja në periudha afatshkurtra”, tha Vakaj.