“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Para disa ditësh, kisha kollë dhe më rekomanduan të nisja një kurë me antibiotikë, por pas ditës së parë m’u shfaqën disa si njolla në lëkurë të kuqe. Mendova se mund të jetë alergji nga antibiotikët dhe doja të dija se çfarë analizash duhet të bëj për të parë nëse jam alergjike ndaj tyre?
Përgjigjet mjeku: Shpesh dhe mjeku specialist e ka të vështirë të përcaktojë me saktësi ilaçin që ka dhënë alergji, sidomos kur pacienti i merr me shumicë ato. Mjeku specialit në vlerësimin e vet bazohet kryesisht në një pyetësor të hollësishëm që i bën pacientit lidhur me ilaçet që merr, kohëzgjatjen, dozat, sëmundjet që ka predispozicion për alergji etj, etj. Gjithashtu bërja e provave të shpeshta dhe të vona në alergji në lëkurë, apo dhe analiza më të veçanta si IgE specifike japin kontribut në përcaktimin e medikamentit që ka shkaktuara alergjinë. Ndërsa për sa i përket pyetjes se çfarë duhet bërë në rastin që shfaqet alergjia, qëndrimi varet në radhë të parë nga forma dhe gjendja e personit që shfaq alergjinë. Megjithatë, së pari këshillohet ndërprerja e menjëhershme e ilaçit që dyshohet, apo dihet që ka dhënë alergjinë. Gjithashtu në këto raste ndërpriten dhe ilaçet e tjera më pak të dyshuar për alergjinë, por që janë dhe më pak të rëndësishme në mjekimin e të sëmurit. Mund të jepen antihistaminikë dhe më pas sipas shkallës së alergjisë serume dhe ndjekje të specializuara.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.