Aleksandar Vuçiç është i bindur se Këshilli i Europës do ta vonojë anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në një intervistë të tij për median serbe RTS, Vuçiç hamendësoi për një truk të ri e cila po përgatitet nga vendet që duan aderimin e Kosovë në Këshillin e Europës. Dhe që ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për krijimin e Asocacionit të Komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës.
“Ata kanë krijuar një truk të ri dhe unë dua t’ua prezantoj qytetarëve. Në datën 10 maj do të thonë se do ta referojnë aktin që evropianët kanë kaluar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë. A nuk do ta gjenin disa prej tyre arsyen e mjaftueshme për atë që të thonë se është iniciuar një proces për Asocacionin e Komunave serbe në Veri, por në fakt asgjë nuk është iniciuar dhe thonë se kjo është arsyeja që ne të votojmë për Kosovën në Këshillin e Evropë. Pra, kjo është diçka që do të ndodhë”, tha Aleksandar Vuçiç, President i Serbisë.
Vuçiç tha për RTS se takimi i Këshillit të Europës do të mbahet më 11 maj, por me shumë gjasa do të shtyhet më 16 maj, nëse siç tha ai nuk ka ndryshime të caktuara të qëndrimeve. Vuçiç flet për sekretet diplomatike dhe presionet që i bëhen Serbisë për të arritur një kompromis me Kosovën.
“Në çdo rast, nuk do të jetë e thjeshtë. Ne kemi dërguar shumë letra zyrtare në adresa të ndryshme dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Po më flasin nga të gjitha anët e mundshme për të më bindur për diçka dhe që gjoja të mund të bëjmë një lloj kompromisi”, u shpreh Vuçiç, President i Serbisë.
Sakaq Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila sipas saj “është jashtëzakonisht e egër”.
Sipas diplomacisë së Kosovës, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.