Sektori i Krimeve të Rënda në Durrës kap shtetasin në kërkim Agron Bejdolli, krahu i djathtë i Rrumit të Shijakut.
Ky shtetas është me masë sigurie arrest në burg për “heqje paligjshme të lirisë (pengmarrje)” në bashkëpunim me Rrumin, të dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj në tetor 2022.
Bejdolli u kap në shtëpinë e një kushëriri të tij në Spitallë të Durrësit.
Si ndodhi pengmarrja e vëllezërve Beqiri?
Në vitin 2022, u morën peng dy vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiri, të cilët ishin vrasës me pagesë dhe po planifikonin ekzekutimin e Aleksandër Lahos, (Pëllumb Muharremit)‘ që njihet se Rrumi i Shijakut’. Dy vëllezërit më pas kanë bashkëpunuar me autoritetet, dhe kanë dhënë detaje të rëndësishme për disa atentate të kryera në Tiranë dhe Durrës.
Mes emrave të përmendur prej tyre ishte dhe Agron Bejdolli, i cili është lidhja më e fortë e Rrumit.
Dyshohet se vëllezërit Beqiraj kanë patur njohje të mëparshme me Agron Bejdollin, i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me Aleksandër Lahon i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi. Vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj u konfliktuan në autostradë me Bejdollin.
Në tetor 2022 dy vëllezërit po udhëtonin me motor nga Durrësi në drejtim të Tiranës, kur një automjet u ka prerë rrugën pranë mbikalimit të Maminasit. Vëllezërit Beqiraj janë rrahur me 4 personat që ndodheshin në makinë njëri prej tyre është identifikuar si Agron Bejdolli i cili u shpall në kërkim.
Njërin prej vëllezërve, Indrit Beqirajn, autorët e morën peng në makinën e tyre, por e lëshuan pasi kishin ecuer 500 metra, sapo diktuan se po ndiqeshin nga policia.
Kush është Rrumi i Shijakut, apo Aleksandër Laho?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi” mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit Arjan Ndoja disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij janë të shumta.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë. Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.
Më herët ai është ndalur si përfshirë në rrahjen barbare që iu bë biznesmenit libanez, Faad Mitri, në kryqëzimin e Rinasit, pikërisht për një konflikt prone në Gjirin e Lalëzit, një prej zonave kryesore të turizmit në vend.
Çështja e pronave te Gjiri i Lalëzit dyshohet se është dhe shkak i atentati ndaj ish-gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
Pista e parë që u hetuan ishte vrasja për shkak të detyrës. Por, kjo pistë ra shpejt nisur nga fakti që i ndjeri ishte gjyqtar i Shkallës së Parë në qytetin e Vlorës dhe nuk kishte gjykuar dosje të bujshme, që të justifikonin atentatin e e mirëorganizuar ndaj tij.
Për këtë arsye, hetimet u zhvendosën tek çështja e pronave në bregdetin e Durrësit dhe të Kavajës, ku Konomi kishte përfituar në 2009 përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë 300 hektarë tokë të trashëguara në emër të bashkëshortes së tij.
Që prej asaj kohe, prona në fjalë është përfolur shpesh mediatikisht si e lakmuar dhe pjesërisht e privatizuar përmes mbivendosjes dhe falsifikimeve nga grupe kriminale në Durrës, ku në disa raste është përmendur edhe emri i Landi Muharremit.
Po ashtu “Rrumi” dyshohet se për pronat në Gjirin e Lalëzit ka pasur përplasje me Plaurent Dervishajn e Bandës së Durrësit. Pra duket se për pronat te Gjiri i Lalzit ka pasur një përplasje të fortë mes bosëve të krimit.