Ekonomia shqiptare gjatë këtij viti po rritet me ritme edhe më të larta se potencialet e veta. Banka e Shqipërisë e vlerëson normën e rritjes potenciale të ekonomisë në rreth 3.5% në vit. Rritja potenciale nënkupton rritjen që do të kishte ekonomia nëse do të shfrytëzonte të gjitha burimet në dispozicion.
Siç dihet, që nga viti 2014 e në vazhdim, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve, çka i ka rritur potencialet prodhuese dhe sidomos kapitalin e ri fizik. Rritja potenciale e ekonomisë shqiptare pas krizës së vitit 2009 ra deri në 2.5%, nga rreth 6% që kishte qenë potenciali i rritjes në vitet e parakrizës.
Ndërkohë, gjatë tremujorëve të parë të vitit, ekonomia shqiptare është rritur me më shumë se 4%. Kjo vjen për shkak se rritja e viteve të mëparshme ka qënë ndjeshëm më e ulët se kapacitetet e ekonomisë, ndaj për të arritur rritjen potenciale, rritja reale pritet që edhe vitin e ardhshëm të jetë më e lartë.
Mbështetur në anketimet e bizneseve, Banka e Shqipërisë vlerëson se norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi rezultoi rreth 72.4% në tremujorin e tretë të vitit. Kjo normë qëndron si mbi nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe mbi nivelin e të njëjtës periudhe një vit më parë, me 1.4 pikë përqindje. Edhe ky tregues sugjeron për ngushtim gradual të kapaciteteve të lira në ekonomi.
Një tjetër tregues që dëshmon se ekonomia është pranë mbylljes së hendekut negativ të prodhimit është norma e papunësisë, që ka rënë në minimumin historik prej 12.2%. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo normë është shumë pranë nivelit teorik të papunësisë natyrore në ekonomi.
Sipas teorisë ekonomike, papunësia natyrore nuk mund të jetë 0, për shkak të papunësisë strukturore dhe asaj friksionale. Papunësia strukturore nënkupton mospërputhjen mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ndërsa ajo e fërkimit nënkupton papunësinë për shkak të zhvendosjeve të individëve nga një punë në një tjetër.