MENU
klinika

"Moment historik! Nga ky vendim fiton demokracia"

U miratua anëtarësimi i Kosovës në KiE, reagon Vjosa Osmani e Albin Kurti

16.04.2024 - 20:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përshëndetur votimin e Asamblesë Parlamentare që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Vjosa Osmani ka thënë se sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.

Po ashtu ajo ka thënë se votimi i sotëm në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë.

“Falënderim nga zemra të gjithë atyre që nëpërmjet votës PRO mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kauzën tonë për të drejta të njeriut. Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!

Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”, ka shkruar presidentja në rrjetin social Facebook.

Edhe kryeministri Albin Kurti thotë se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.

Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN