MENU
klinika

Sulmet e Metës ndaj Altin Dumanit

Ambasada e SHBA: Jemi në krah të atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë

17.04.2024 - 10:49

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të KLP ku ka dënuar sulmet ndaj SPAK. dhe kreut të saj Altin Dumani.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada shkruan se përshëndet dënimin që KLP i bëri këtyre sulmeve, ndërsa shtoi se SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi pas deklaratave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se deklarata të tilla janë përcjellë me shqetësim. Duke ofruar mbështetje të plotë për SPAK, KLP bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

 

 

Reagimi:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta.

Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.