MENU
klinika

Eksperti zbulon shifrën e bonusit

Muaji kur do të bëhet rritja e pensioneve, më e lartë se vitet e kaluara

17.04.2024 - 15:51

Me të drejtë sipas ligjit, por edhe për nevojat që kanë, pensionistët prisnin që në datë 1 prill të këtij viti qeveria të nxirrte vendimin për indeksim pensionesh. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani. Prandaj në këto javë pensionistët kanë qenë të shqetësuar. Të gjithë pyesin se çdo bëhet me pensionet? Për të sqaruar mbi çdo gjë që pensionistët kanë nevojë të dinë, por edhe për të hedhur dritë mbi atë çfarë po ndodh, ka folur gjatë një interviste për gazetë “SOT”, eksperti i njohur i Ekonomisë, Kujtim Hoxha. Sipas tij, rritja e pensioneve pritet të bëhet në muajin tetor dhe ajo do të jetë më e lartë se vitet e kaluara për shkak se qeveria do ta përdorë për vota për shkak të afrimit të zgjedhjeve të 2025. Nga ana tjetër, zoti Hoxha ka folur edhe për bonusin, por edhe për skemën e re të pensioneve.

-Shumë shpejt do të aplikohet një skemë e re për pensionet por edhe për mbrojtjen sociale në tërësi. Duke qenë se reforma e bërë në vitin 2014-të e ka mbyllur ciklin e saj dhe nuk ka adresuar siç duhet problematikat, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare po bëhen gati të vënë në jetë një reformë të re, e cila synon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të sjellë të ardhura më të larta për pensionistët. Sipas jush, pse Shqipëria po ndryshon skemën e pensioneve pas 10 vitesh?

FMN-ja dhe Banka Botërore i dhanë detyrë qeverisë shqiptare në fund të vitit 2013 për të nxjerrë nga prapambetja dhe norma e shpenzimeve, për të nxjerrë situatën nga skema e Sigurimeve Shoqërore. Me këtë u mor një grup pune politik dhe aspak teknik që u përdorën me të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për ecurinë e faktorëve që e kanë të evidentuar në raportet vjetore të viteve të mëparshme. E them politik pasi në ato vite u propagandua shumë nga Erion Veliaj, ministri i Punës dhe Vjollca Braho, drejtore e Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, zv. Ministre në të njëjtën ministri. Këto e futën skemën e Sigurimeve Shoqërore në një qosh sokak, këtu në grupin e punës ka qenë edhe Ali Emini, ish- nëndrejtor i Përgjithshëm i Insitutit të Sigurimeve Shoqërore; Astrit Ado, nëndrejtor i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore, sot drejtor i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore; Astrit Kuka, jurist në Drejtorinë që mbështeste Sigurimet Shoqërore në Ministrinë e Punës. Këto janë shpërblyer me 4 paga për këtë skemë, pasi vetë puna që bënë këto u propagandua si arritje. Unë e kam kritikuar që në fillim sepse grupi i punës nuk ka marrë parasysh faktorët që kanë ndikuar në përkeqësimin e Sigurimeve Shoqërore, po kështu u përkeqësua dhe situata për të ardhurat nga qytetarët që përfitonin në Sigurimet Shoqërore. Këto shpikën pensionin social, që zbriste mbrojtjen shoqërore të qytetarëve, zbriste nga pension minimal para 2013-ës në atë social që ishte në kufirin 7 mijë lekë ndërsa sot është 9 mijë e 343 lekë. Jemi në situatën ku qeveria shqiptare mundoi të mashtrojë pensionistët me këtë skemë. Pasi nuk është e para herë që me politikat e tyre në dëm të qytetarëve marrin vendime për pensionet.

-Në skemën e re, pritet të rishitet indeksimi i pensioneve, ku aktualisht merret në konsideratë inflacioni i shportës. Sa e mundshme është kjo?

Teknikët dhe persona përfaqësues të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë propagandë ndaj pensionistëve. Përsëri Astrit Ado do të bëj të ashtuquajturën reformë me atë gjellë që gatoi që sot po e vjellin, do e në formë tjetër do e bëjnë. Nuk kanë mundësi të dalin nga kjo situatë për dy arsye, ajo që mund të bëj indeksimin e pensioneve, faktori i parë është: Numri i punonjësve në administratë është rritur nga 91 mijë që e gjeti qeveria në 2013 tani ka shkuar në 147 mijë, e ka rritur me 55% numrin e punonjësve, nëse do shkurtohej numri do të rriteshin pensionet me 110 mijë lekë më shumë. E dyta: Iu arrestuan 5-6 drejtorë qeverisë, të zhytur në korrupsion e për shpërdorim detyre. Faktori kryesor është babëzia e Edi Ramës që nuk le që pensionet të rriten dhe pensionistëve t’ju njihen vitet e punës në kooperativën bujqësorë. Kanë dosje e i çojnë vërdallë nëpër gjykata pensionistët.

-Po ashtu, në fokus të ndërhyrjeve do të jetë edhe mosha e daljes në pension referuar projeksioneve qe janë bërë nga reforma e vitit 2014, si dhe do të preken edhe pensionet suplementare. Mund në na jepni më shume detaje rreth kësaj?

Sipas projeksioneve të reformës së mëparshme të bëjnë korrigjime. Mosha mesatare e përfitimit të pensionit është 7 vjet, vetë Sigurimet Shoqërore propagandojnë se është 12 vjet. Ky është informacion jo i saktë. Nuk mund të bëhen eksperimente me pensionet suplementare, apo ato i marrin gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët, doktorët, kryetarë bashkish, etj., duke futur këtë kontingjent gllabëron të gjithë kontributet e pjesës tjetër që mezi presin të marrin një pension për të krijuar kushtet e tyre minimale.

-Ndërkohë në prill të vitit 2023 pati një indeksim te pensioneve, por pensionistët shprehen se nuk është i mjaftueshëm dhe kërkojnë një tjetër indeksim së shpejti. Por ka një kakofoni pasi ka zërë se mund të ketë një indeksim tani, ndërsa të tjerë thonë se do të jetë në muajin tetor. Sipas jush kur do të jetë indeksimi i radhës dhe a janë të efektshme indeksimet që bëhen?

Aktualisht duhet të ishte bërë indeksimi sepse ka dalë raporti vjetor që bëhet në fund të çdo tre mujori, ka dalë raporti vjetor 2023 i INSTAT-it. Pensionistët nuk përfitojnë absolutisht asgjë, të paktën të bëjnë indeksimin e viteve të mëparshme, por as edhe këtë gjë se bëjnë. Faktikisht duhet të kishte dalë indeksimi, por kjo tregon që kjo është një qeveri e papërgjegjshme. Vitin e kaluar, indeksimi është bërë në 1 tetor, ka patur 8.6%, ka qenë nën inflacion. Ka qenë më parë në 11 %, këto e kanë filluar 8.6 %, nuk ka mundur të zëvendësojë as inflacionin. Nuk dihet ende se kur do të bëhet indeksimi por mendohet në tetor ta bëj pak më të lartë indeksimin duke e përdor në fushatë elektorale si premtim për pensionistët. Deri sa të nisin të shpërndahen pensionet vjen viti i ri dhe i mashtron pensionistët vetëm me një gjel deti. Nëpër kulisat që bëjnë në kryeministri, vetëm e vetëm si të gënjejnë njerëzit që të marrin votat.

-Po bonus a ka mundësi të ketë për pensionistët?

Mundësitë teorike janë që pensionistët të trajtohen mirë, nëse do të kishim një qeveri jo hajdute dhe do të menaxhonte fondet publike, me siguri pensionet do të ishin afërsisht sa Italia, 300-350 euro mesatarisht. Bonuese as diskutohet që do te jepen për pensionistët, por parashikojnë vetëm atë 50 mijë lekëshin e gjelit të detit. /Xhoana Vraniçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga rritja e tyre tek shpërndarja e bonusit

Ndryshime që do sjellë skema e re e pensioneve