MENU
klinika

"S’ka vendim nga PS! Nëse ka pengesa do ulen në…"

Bllokimi i komisioneve hetimore, kreu i Grupit të PD zbulon bisedën me Nikollën

17.04.2024 - 20:35

Në mbledhjen me dyer të mbyllura në Grupin Parlamentar të PD është diskutuar edhe një shqetësim i deputetëve në lidhje me dy komisionet hetimore, pasi mazhoranca nuk po merr pjesë.

Për këtë, Gazment Bardhi ka deklaruar se është takuar me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila i ka konfirmuar se nuk ka asnjë vendim nga PS për bllokimin e punës së Komisioneve Hetimore për TIMS-in dhe koncesionet në shëndetësi.

Në diskutimet të siguruara nga gazetari Osman Stafa, Bardhi ka thënë se nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin e punës.

Gazment Bardhi: Dakord. Për problemin që ngriti Albana, kam takuar Kryetaren e Kuvendit për këtë shqetësim dhe e kam kërkuar të mos pengohet funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare (timsi dhe koncensionet në shëndetësi). Kryetarja e Kuvendit më ka konfirmuar që nuk ka asnjë vendim politik të PS për t’i bllokuar komisionet dhe keqkuptimet që janë krijuar duhet të zgjidhen. Nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin, dhe të gjitha shkresat për informacion më është konfirmuar që nuk do pengohet asnjë, do të kalojnë dhe nuk do të këtë asnjë pengesë.

DEBATI I PLOTE NE GRUPIN E PD

Gazment Bardhi: Mirëdita kolegë. Ndjesë për vonesën, por isha në një videocall me përfaqësues të Institutit Amerikan Republikan, që po na ndihmojnë për funksionimin e Federatës Opozitare dhe zgjati pak më shumë se parashikimi. Sot kemi disa çështje në rend dite. Fillojmë me prezantimin e Platformës së Reformës Zgjedhore.

Oerd Bylykbashi: PD kërkon rikthimin te dakordësia e fundit e arritur nëpërmjet pozitës dhe opozitës (i referohet 5 qershorit 2020), për të cilin ka dhe një marrëveshje të firmosur nëpërmjet palëve dhe të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe organizatat ndërkombëtare, e për pasojë zhbërjen e pasojave dhe ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor ( korrik dhe shtator 2020), posaçërisht për:

Rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti anëtarë e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2009).

Eliminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor.

Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standardin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.

PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër, të bëjë realitet votën e të gjithë shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit, aty ku ata banojnë, sipas detyrimeve aktuale që burojnë nga Kodi Zgjedhor, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 dhjetor 2022, me të njëjtat standarde dhe garanci si shtetasit që votojnë brenda vendit. Sistemi i votimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet të thjeshtohet nga procedurat e rënduara të regjistrimit me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare. Sistemi i votimit për këtë kategori zgjedhësish duhet të jetë efikas dhe i paanshëm dhe nuk duhet të shërbejë për të ndikuar njëanshmërisht në rezultat.

PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit përsa i përket procesit të votimit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimmarrje përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi. KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë. Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe është antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese te 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të certifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cënon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.

Gazment Bardhi: Në emrin tuaj falenderoj kolegun Bylykbashi dhe grupin e punës për këtë material. Kush e don fjalën.

Tritan Shehu: Mendoj të marrim materialin dhe ta studiojmë.

Helidon Bushati: Ne nuk mund të bëjmë reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve. E theksoj fort sepse nuk mund të bëjmë ne reformë zgjedhore pa mbështetjen e amerikanëve. Vetëm kur përmirësuam marrëdhëniet me amerikanët ne mundem të marrim atë çfarë morëm. (I referohet fundit të aksionit opozitar).

Asllan Dogjani: Unë propozoj se ne duhet të kërkojmë lista të hapura sa i takon propozimeve për reformën zgjedhore. Dhe këto qëndrime duhet t’I bëjmë edhe publike.

Xhelal Mziu: Marrëveshja e 5 qershorit 2020, që u arrit PD & PS,me ndërhyrjen e përfaqësive por jo vetëm të SHBA dhe BE duhet të jetë thelbi i propozimit tonë.

Duhet të kërkojmë rrëzimin e ndryshimeve 28 korrik 2020.

Pra duhet të kërkojmë:

1.Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

2.Vota e 100% e diasporës, jo sipas a-Albania, por të gjithë.

3.Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cënon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.

4.Listat e hapura ngelen të rëndësishme.

5.Votë detyruese për qytetarët.

6.Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE.

RIFORMATIM me 6 rajone.

Bujar Leskaj: Ne duhet të flasim në media dhe ku ta qartësojmë se duam të rikthehem koalicionet parazgjedhore. Po ashtu të shprehemi se duam lista të hapura, votën e emigrantëve pa kushtet që vë qeveria, që të kapim një bazë të gjerë emigrantësh, jo vetëm 18 që janë regjistruar në portalin e qeverisë dhe votimin elektronik. Dhe votimi elektronik nuk është aq i thjeshtë sa duket, duhet të mos biem në gracka dhe të sigurojmë që të mos biem pre e manipulimeve.

Ndërkohë propozoj që të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet vakante e të mbetura bosh më Grupit Parlamentar E kam bërë këtë propozim edhe përpara disa javësh por e përsëris prap. Dhe unë sugjeroj që gara për këto poste të behët vetëm mes grave, sepse jemi shndërruar në parti burrash. Pra unë po e shpreh qëndrimin tim se do të marr pjesë në votimet për këto poste, vetëm nëse kandidatet do të jenë zonja.

Gazment Bardhi: Nuk kam pasur kohë të merrem me këtë, pasi kam pasur shumë çështje me të cilat jam marrë. Por shumë shpejt do të merrem dhe do të zgjidhet, do të vij me një propozim. Amnistia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për ti dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhackës. E papranueshme.

Dhurata Çupi: Kam një shqetësim që e ngriti edhe Bujari. E keni kthyer këtë parti në parti burrash. Shkoni nëpër qarqe bisedoni me demokratët dhe aty dalin burri 1, burri 2, burri 3, burri 4, etj. Asnjë grua. Mirë 4 nënkryetarët, sepse duhet, por pjesa tjetër, pse vetëm burra dhe asnjë grua?

Gazment Bardhi: Partia ka ngritur ato dy grupe pune, mund të shtohem me të tjerë pa diskutim. Shqetësim i drejtë do ta vlerësojnë strukturat drejtuese te partisë.

Gazment Bardhi: Kalojmë tek çështjet e rendit të ditës. Do këmbëngulim për mocionin me debat nesër për drogën dhe Xibeakën. Do të dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese përsëri mandatin e Xhaçkës. Do të diskutojmë tek të gjitha pikat e rendit të ditës për të cilat do votojmë kundër, përveç marrëveshjes me BE. Për çështjen e cila ka nisur si diskutim dhe kam marrë shumë shqetësime nga ana juaj në chatgrupin tonë (I referohet grupit të Whatsappit ku shumë deputetë kanë shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit për të lënë jashtë grupit Berishën dhe se duhet të bëhet betejë që të futet në Grupin Parlamentar të PD-së), ju sqaroj se kjo nuk është çështje e kryetarit të grupit, sepse anëtarësimi në grup sipas rregullores është me vetëdeklarim. Unë mendoj që ne nuk duhet të biem në kurthin që të kthehemi përsëri tek përqendrimi i debatit publik për grupin. Interesi i Edi Ramës është të na rikthej në debatin për grupin parlamentar, prandaj e luajtën në publik prej disa ditësh me këtë; një herë 35 anëtarë, një herë 38 anëtarë, sot e kishin bërë 42 anëtarë. Ne jemi grupi parlamentar i PD dhe kryetar i PD është Sali Berisha. Tani nga kjo kuptohet i gjithë absurdi i kësaj. Ne e dimë shumë mirë se kush është i përfshirë në grup parlamentar, që nga data 5 Shtator 2023 dhe nuk presim njohje nga Edi Rama për këtë mendoj. Grupi nuk ka një procedurë për futjen e deputetëve në grup, sepse kjo është me vetëdeklarim në Kuvend, pa përfshirjen e grupit. Psh para disa kohëve është përfshirë në grup kolegia Merita Bakiu, është vetëdeklaruar dhe është përfshirë pa u përfshirë grupi në këtë çështje. Mospërfshirja e z. Berisha që në nisje të kësaj Legjislature është bërë nga Kuvendi me interpretimin që nuk është tek lista fillestare që ka sjell Partia, para krijimit të grupit. Problemi nuk është tek ne. Në çdo rast më thoni çfarë shqetësimi kemi dhe si e adresojmë.

Tritan Shehu: Qëndrim të egër duhet të mbajë Grupi Parlamentar për të mbrojtur Sali Berishën, për ta përfshirë në grup, madje duhet edhe t’u dërgojmë letra ndërkombëtarëve, ku t’i informojmë për burgosjen politike të kreut të opozitës. Duhet të mendojmë një procedurë, të marrim vetëdeklarimet, të bëjmë diçka.

erd Bylykbashi: Rregullorja sqaron sesi behet anëtarësimi në grup (lexon nenin e rregullores). Pra vetëdeklarim dhe lista e KQZ. Këtë mendoj ta përdorim, por e vendosim.

Flamur Noka: Po kjo mund të behet mendoj.

Luan Baci: Edhe unë mendoj si kolegët. Ne jemi shumica e grupit, të analizohet rregullorja dhe të bëhet.

Gazment Bardhi: Dakord. Për problemin që ngriti Albana, kam takuar Kryetaren e Kuvendit për këtë shqetësim dhe e kam kërkuar të mos pengohet funksionimi i komisioneve hetimore parlamentare (TIMS-i dhe koncensionet në shëndetësi). Kryetarja e Kuvendit më ka konfirmuar që nuk ka asnjë vendim politik të PS për t’i bllokuar komisionet dhe keqkuptimet që janë krijuar duhet të zgjidhen. Nëse ka pengesa duhet të ulen dy kryetarët me dy nënkryetarët që të përcaktojnë vijimin, dhe të gjitha shkresat për informacion më është konfirmuar që nuk do pengohet asnjë, do të kalojnë dhe nuk do të këtë asnjë pengesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Debatet brenda grupit parlamentar

Berisha mbeti jashtë, çfarë po ndodh në PD?