Në seancën e sotme plenare janë zhvilluar debate të shumta mes opozitës dhe mazhorancës. Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar sjelljen e opozitarëve.
Braçe tha se opozita po i çon kohën dëm Kuvendit dhe po shkatërron nervat e atyre që duan të ndjekin seancën, më pas fillojnë dhe argëtohen me njëri-tjetrin.
“Kemi 35 minuta që kemi nisur seancën ligjërisht të gjithë ata që na morën 1 orë e 5 minuta kohë në fillimin të seancës me përjashtim të drejtuesit të tyre, dhe zotit Sula e Dogjani që janë gjithmonë këtu, çdo gjë që ndodh në këtë sallë prej javësh, në këtë orë dhe çdo ditë të enjte, i çon kohën dëm Kuvendit dhe i shkatërron nervat të gjithë atyre që kanë marrë mundimin të ndjekin Parlamentit është gjë e kotë dhe duhet të ndërpritet. Sa mbaron cikli i 1 orë e 5 minuta, nisin qeshin me njëri-tjetrin, argëtohen, por asnjëri prej tyre nuk është ulur në Kuvend.
Ne vijmë në Kuvend në bazë të një rendi dite, regjistrojmë emrat për të folur. Ajo ora e parë, është ora e fundit e punës së Kuvendit, Të gjithë ata që duan ta marrin fjalën të zhvendosen në fund të seancës, por s’kanë pse luajnë me nervat e të tjerëve dhe s’kanë pse i mohojnë të drejtën e fjalëve atyre që janë regjistruar”, tha Erion Braçe.