Komisioni hetimor për të dhënat e sistemit TIMS miratoi të premten të gjitha kërkesat për informim drejtuar institucioneve publike, ndërsa mbledhja u përshkua nga një konsesus jo i zakonshëm mes opozitës dhe shumicës.
Kërkesat për informacion iu drejtuan Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Prokurorisë së Tiranës, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Konsensusi për të vijuar me punën erdhi pas dështimit të mbledhjes së fundit, ku palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për një votim teknik që kishte të bënte pikërisht me këto kërkesa.
Kryetari i komisionit, deputeti i PD-së, Ervin Salianji tha se “nëse ka vullnet politik puna e komisionit ecën në shinat e ligjshmërisë”, ndërsa u kërkoi kolegëve socialistë që të ecej me këtë frymë dhe në fazat e tjera të punës.
Ndërsa nënkryetari i komisionit Toni Gogu, konstatoi se u kursye koha fizike kur fokusi vendoset tek zbatimi i ligjit se sa tek debatet politike. “Për të treguar vullnetin tonë të palëkundur për të hetuar, kursyem retorikat politike dhe gjithë kohën e vumë në dispozicion të veprimeve proceduriale”- tha ai.
Palët ranë dakord, sipas propozimit të ekspertëve ligjore, që në kërkesat drejtuar SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës të mos kërkohet vënia në dispozicion e “fashikujve hetimorë”, duke e konsideruar paraprakisht këtë dokument një sekret hetimor, që nuk mund të ndahej me Kuvendin.
Salianji tha se komisioni po merr për bazë sugjerimin e ekspertëve në këtë rast dhe pse ai vetë i qëndronte mendimit se, “çdo institucion duhet të marrë vetë rolin kushtetues që i takon dhe të përgjigjet apo jo, nëse tejkalohet ligji”.
Ndërsa Gogu arsyetoi se, komisioni nuk mund të vendoset mbi kompetencat e një organi tjetër.
Deputeti socialist Nasip Naço votoi kundër kërkesave për informacion drejtuar SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës, duke e konsideruar këtë akt të komisionit si ndërhyrje në punët e organeve hetimore, pasi kërkohen të dhëna për personat nën hetim dhe dëshmitarët në procesin hetimor.
“Po ngreni dorën se kështu keni vendosur ju , po duhet të jemi të kujdesshëm për këto dy institucione”- iu drejtua ai kolegëve duke shtuar se “gjithsesi në asnjë rast prokuroria nuk do të na japë asnjë emër apo të dhëna të tjera hetimore”.
Mazhoranca pranoi ngritjen e dy komisioneve hetimore pas arritjes së një pakti politik që i dha fund protestës në Kuvend të grupimit më të madh të opozitës, i njohur si “Rithemelimi”.
Por, këto komisione kanë një ecuri të ngadaltë të punës që prej krijimit, duke mbetur peng i përplasjeve politike, debateve për procedurë ose refuzimit të socialistëve për të marrë pjesë në mbledhje.
Komisioni për konçesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe kontrolleve ‘Check-Up’ në shëndetësi, që drejtohet nga deputetja Albana Vokshi, nga 6 mbledhje të njoftuara ka realizuar vetëm 2 për shkak të mungesës së anëtarëve socialistë. Puna e dy komisioneve ka një afat 4-mujor pune, i cili përfundon në muajin korrik. BIRN