MENU
klinika

Ndëshkim i kastës së vjetër politike

Milo Gjukanoviç po shkon drejt prangave!

20.04.2024 - 10:40

Po merr fund periudha e errët dhe e gjatë e Katovicës. Ballkani ka hyrë në stinën e ndëshkueshmërisë…

Podgoricë – Pas arrestimit në orët e para të mëngjesit të së dielës më 14 prill, ish-prokurori special Milivoje Katnić dhe ish-zyrtarit i lartë i policisë Zoran Lazović u morën në pyetje në prokurorinë speciale, dhe më pas për ta u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Akuza është ajo e komplotit kriminal dhe e shpërdorimit të detyrës. Katnić ishte një figurë kyçe në hierarkinë e pushtetit të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), e cila e sundoi Malin e Zi vazhdimisht për 3 dekada. Gjatë viteve 2015-2022, ai ka qenë prokuror special i Malit të Zi. Fillimi i karrierës së tij si prokuror u shënua me arrestimin e Svetozar Marović në fund të vitit 2015.

Marović, një njeri besnik i Milo Đukanović për dekada, u dënua me 3 vjet e 10 muaj burg për korrupsion. Por menjëherë pas shpalljes së vendimit ai u arratis në Serbi, e cila ende refuzon që ta ekstradojë. Milivoje Katnić do të mbahet mend edhe për ngritjen e një aktakuze kundër të dyshuarve për tentativën e supozuar për grusht shteti në vjeshtën e vitit 2016.

Ndër të pandehurit, të cilët më vonë u dënuan në shkallën e parë për terrorizëm, ishin Andrija Mandić, kryetar aktual i parlamentit nga Podgorica, dhe Milan Knežević, udhëheqës i Partisë Popullore Demokratike pro-Serbe (DNP) e cila është pjesë e shumicës aktuale. Ndërkohë, u anulua dënimi i shkallës së parë, duke çuar në fillimin e procedimeve të reja penale, të cilat janë ende në vazhdim.

Gjatë gjyqit të parë mbi grushtin e shtetit, shoqëruar me shumë debate, pati nga ata që pretenduan se e gjithë kjo çështje ishte orkestruar qëllimisht për të lehtësuar fitoren e PDS-së në zgjedhjet e mbajtura pikërisht në ditën e arrestimit të dy ish-liderëve të opozitës.

Disa përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, por edhe kundërshtarë politikë të PDS-së e kritikuan publikisht Katnić, duke e cilësuar atë si “shkopi i Đukanović”. Kritikat bazohen kryesisht në faktin se gjatë periudhës në të cilën Katnić ishte në krye të zyrës së prokurorit special, u mbuluan disa skandale korrupsioni dhe krime të organizuara të lidhura me liderët politikë të kohës, përfshirë Milo Đukanović.

Rasti i të ashtuquajturave “Pandora Papers” është emblematik. Një grupim gazetarësh investigativë zbuloi se në vitin 2012, Milo Đukanović dhe djali i tij Blažo kishin nënshkruar një sërë kontratash sekrete për të menaxhuar asetet e tyre, duke u fshehur pas një rrjeti kompleks kompanish me qendër në Britaninë e Madhe, Zvicër, Panama dhe Gjibraltar.

Në vitin 2021, prokuroria, në atë kohë e udhëhequr nga Katnić, hapi një dosje bazuar në zbulimet e gazetarëve, pa i vazhduar hetimet. Katnić u hoq nga posti i prokurorit special në vitin 2022, pra dy vjet pas ndryshimit të pushtetit. Lazović, kumbari i Katnić, ka qenë prej kohësh një figurë qendrore brenda policisë malazeze.

Ai konsiderohej si “figura më me ndikim” në pushtetin e vjetër. Në vitin 2019, 4 vjet pas largimit të tij nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Lazović mori një pozicion drejtues në Drejtorinë e Policisë, duke u bërë së shpejti zëvendësi më me ndikim i ish-shefit të policisë Veselin Veljović, i cili gjithashtu ndodhet në burg.

Lazović ka mbajtur ndër vite disa poste të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme, duke filluar nga ai i shefit të njësive të operacioneve speciale dhe anti-terrorizmit, deri në një nga agjentët më me përvojë të shërbimeve sekrete malazeze, ku për një periudhë të caktuar drejtoi Drejtorinë për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Zoran Lazović është kritikuar shpesh për lidhjet e tij me disa anëtarë të shquar të botës kriminale, nga Safet Kalić nga Rozhaja, për vite me radhë i dyshuar si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash, deri tek Naser Kelmendi, një nga figurat më me ndikim në qarqet kriminale të Evropës.

Emri i Zoran Lazović shfaqet shpesh edhe në transkriptet e mesazheve – të bëra publike në vitin 2022 – të shkëmbyera gjatë përdorimit të aplikacionin Sky, veçanërisht midis anëtarëve të klanit Kavač, një prej grupeve kriminale malazeze më të fuqishme, në krahasim me klanin Škaljar.

Dy vite më parë, me kërkesë të prokurorisë speciale të Malit të Zi, u arrestua edhe Petar Lazović, djali i Zoran. Prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj tij, duke e hetuar për lidhjet me klanin e Kavač. Pas Katnić dhe Lazović, oficerët e njësisë speciale të policisë arrestuan edhe Jelena Perović, drejtoreshë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Edhe pse nuk i përket rrethit të bashkëpunëtorëve më të afërt të Đukanović, Perović mund të përdorë gjithashtu postin e saj për të lënë në hije apo për të mbuluar disa raste të korrupsionit të nivelit të lartë. Nisur nga këto premisa, arrestimi i saj mund të jetë shumë i rëndësishëm.

Duket se me serinë e fundit të arrestimeve, është ngushtuar shumë rrethi rreth figurave të pushtetit politik dhe ekonomik, të cilët dyshoheshin se kanë kontribuar me (mos)veprimin e tyre në përhapjen e korrupsionit dhe krimit në shoqërinë malazeze.

Ndërkohë pas hekurave kanë përfunduar edhe Vesna Medenica, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Veselin Veljović dhe Slavko Stojanović, ish-drejtues të policisë malazeze. Për më tepër, disa çështje penale, ende në vazhdim, janë hapur kundër shumë zyrtarëve të regjimit të shkuar.

Megjithatë, ajo që ngre një shqetësim të madh është fakti se deri më sot – pra gati 4 vjet pas përmbysjes së regjimit të PDS-së në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, dhe një vit pas largimit të Milo Đukanović, i mposhtur në zgjedhjet presidenciale nga Jakov Milatović i lëvizjes ‘Evropa Tani’ (PES) – me gjithë arrestimet, hetimet dhe paditë e shumta, nuk është dhënë ende asnjë dënim i formës së prerë.