MENU
klinika

Paralajmëron e veja e liderit opozitar rus

Yulia Navalnaya: Putin mund të përdorë armë bërthamore

21.04.2024 - 12:00

E veja e liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalyn, tha se “askush nuk e di” çfarë të presë nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe paralajmëroi se udhëheqësi revanshist i Kremlinit mund të përdorë armë bërthamore nëse e ndien të nevojshme.

Yulia Navalnaya, që gjendet në mërgim është zotuar se do të vazhdojë presionin ndaj Putinit që kur bashkëshorti i saj vdiq në një burg në Arktik në muajin shkurt.

Agjencia e lajmeve Dpa, e pyeti Navalnayan nëse Putin do të ndalej dhe nuk do të përdorte armë bërthamore, por ajo tha se “ne nuk e dimë se çfarë të presim nga [Putini]”.

“Me gjasë ai do ta bënte, (do përdorte armët bërthamore)”, shtoi ajo.

Navalnaya ka përdorur skandalet e fundit të spiunazhit dhe arrestimet në Gjermani dhe Poloni për të argumentuar se Putini po zhvillon luftë në zemër të Evropës për vite të tëra.

“Putin nuk ja ka nisur tani, ai është duke e bërë këtë që një kohë të gjatë”, tha ajo.

Navalny, 47 vjeç, vdiq më 16 shkurt në një burg siberian në rrethana ende të panjohura. Ai ishte duke vuajtur një dënim prej 19 vjetësh burgim për ekstremizëm dhe akuza të tjera, që gjerësisht janë parë si të motivuara politikisht.

Vdekja e tij në rrethana të paqarta ka bërë që Navalnaya dhe mbështetësit të tij të thonë se ai është vrarë, pavarësisht se në certifikatën e vdekjes, të lëshuar nga autoritetet ruse, thuhet se Navalny vdiq nga shkaqe natyrale.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë kanë akuzuar Moskën se ka vrarë kritikun më të zëshëm të Kremlinit, i cili i kishte mbijetuar disa helmimeve, për të cilat Navalny kishte akuzuar Putinin.

Duke përmendur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës që nisi Rusia më 2022, Navalnaya tha se është e pamundur të dihet nëse Putin do të sulmojë dikë tjetër.

Gjatë këtij muaji, dy polakë dhe një bjellorus u arrestuan në Poloni nën dyshimet se ishin përfshirë në sulme në Lituani ndaj ish-drejtorit të Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalnyt, Leonid Volkov.

Javën e kaluar, dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan nën dyshime se po tentonin të kryenin akte sabotimi në Gjermani. Zyrtarët në Poloni po ashtu kanë arrestuar një person, të cilin e akuzojnë se ka ndihmuar inteligjencën ruse të planifikojë një atentat ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky./REL