MENU
klinika

Anulohet takimi

PS refuzon rikthimin e koalicioneve parazgjedhore

22.04.2024 - 17:01

Grupi i ri i dialogut për reformën zgjedhore e anuloi mbledhjen e parashikuar për këtë të hënë, me argumentin se palëve ju duhej më shumë kohë.

Në fakt ata kanë më pak se 3 muaj kohë për të përmbullur detyrën që kanë marrë përsipër, afat i ngushtë po të mendosh listën e dëshirave të shpalosura nga opozita.

“ABC News” ka mësuar se Partia Socialiste, i ka mbyllur derën dëshirës së parë dhe më të madhe: asaj për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që të rikthehen koalicionet parazgjedhore sic kanë qenë dikur.

Mazhoranca nuk është e hapur për ta diskutuar këtë pikë. Opozita kërkon që edhe KQZ_ja të rikthehet tek modeli i vjetër, ai i një organi të vetëm vendimmarrës me disa anëtarë. PS ofron këtu një formulë kompromisi: shkrirjen e Komisionit Rregullator dhe vijimin me një Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve siç e kemi tani, dhe me KAS-in aktual përgjegjës për apelimet.

Po sipas “ABC News”, pikë e vështirë konsensusi është aktualisht edhe votimi elektronik: ai është pilotuar në njësinë 10 në Tiranë, në bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan. Opozita është skeptike për këtë formë votimi, ndërsa mazhoranca nuk do më përdorim të pjesshëm, e nëse do të përdoret, ai duhet të jetë për të gjithë qarkun.

PS ka prioritet depolitizimin e komisioneve zgjedhore, por formula e saj që një pjesë e komisionerëve të jetë nga administrata, refuzohet nga opozita.

Në këto kushte, mazhoranca PS ofron nisje të butë: të depolitizohet vetëm sekretari i komisionit, pra vetëm 1 nga 7 anëtarët. Sekretarin e emëron KQZ.

Këto janë vetëm disa nga cështjet themelore që i ndajnë palët dhe përbëjnë rrezik dështimi, në një kohë kur palët kanë vendosur 1 korrikun si afat për të mbyllur punën.