Policia e Lezhës ka reaguar për aksidentin ku u përfshi djali i Tom Doshit. Gjatë ditës u bë e ditur se ishte pezulluar shefi i Rrugores sepse kishte favorizuar djalin e kreut të PSD, teksa vetëm tani policia ka treguar se për çfarë bëhet fjalë. Ndërkohë që aksidenti ka ndodhur në 17 prill.
Sipas një njoftimi, policia bën me dije se ai ka përplasur një makinë që drejtohej nga gruaja e një biznesmeni në zonën e Lezhës. Kjo e fundit ka mbetur e plagosur dhe ka përfundur në spital.
“Më datë 17.03.2024, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Lexus”, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtuese shtetasen L. J., 55 vjeçe, banuese në fshatin Tresh, Lezhë, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Lezhës, në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me këtë ngjarje rrugore, nga ana e Policisë Rrugore Lezhë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore në vendngjare, konform ligjit, në konsultë me prokuroren e gatshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë”, thekson policia.
Me tej ajo tenton të tregojë se në buletininin e datës 18 prill ka folur për aksidentin, por në fakt emrin e ka mbajtur të fshehtë. Askush nuk e dinte se në aksident u përfshi djali i Doshit, James Doshi.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet janë referuar në Prokurori, më datë 18.03.2024, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore I. S., në ngarkim të shtetasit J. D., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky rast është pasqyruar në komunikatën ditore të datës 18.03.2024, në të cilën janë pasqyruar ngjarjet dhe aktivitetet ditore të strukturave të Policisë, përgjatë 24 orëve të datës 17.03.2024”, thekson policia.
Në kuadër të hetimeve që ka kryer më pas prokuroria, ka zbuluar se shefi i Rrugores ka favorizuar James Doshin dhe për këtë arsye është kërkuar pezullimi. Mësohet se përfaqësuesi i policisë nuk i ka bllokuar automjetin, duke shkelur ligjin.
“Më datë 15.04.2024, nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është sjellë urdhri i ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar I. S., pasi dyshohet se Nënkomisar I. S. ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin J. D., duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje”, thuhet në njoftim.