Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur i bindur se vula dhe logoja nuk do t’i shkojnë Sali Berishës dhe grupit të Rithemelimit, në një kohë që priten zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
“Vula dhe logoja nuk kanë pikë rëndësie nëse ke alternativë”, tha Lulzim Basha
I pyetur si do të hyjë në zgjedhje, nëse Gjykata ia jep vulën Sali Berishës, Basha është shprehur se nëse zbatohet ligji, kurrsesi sipas tij nuk ka shanse diçka e tillë.
“Nuk ka shanse. Nëse do të zbatohet ligji është e qartë është 100%, nuk është 99%. Kjo çështje nga ana ligjore është e zgjidhur”, deklaroi Basha për Ora News.
Edhe pse gazetari insistoi me pyetjen e tij hipotetike nëse ka një mundësi që Berisha të marrë vulën dhe logon e PD, nga ana tjetër Basha theksoi nëse kjo ndodh, mund të jetë një problem i ndërkombëtarëve dhe jo i partisë së tij.
“Nëse i fusin në thes gjyqtarët, atëherë ky nuk është problemi i Partisë Demokratike, është problem i SPAK, është problem i faktorit ndërkombëtar, asgjë nuk e devijon vendosmërinë tonë për të dalë para qytetarëve me alternative”, u shpreh Basha.